Thaçi: Formimi i një asociacioni si Republika Serbe tërësisht e papranueshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij në takimin e Brdo Brijun, ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Thaçi ka thënë se mbetet me shpresë se procesi i arritjes së marrëveshjes do të jetë i pakushtëzuar.

Ai tutje ka shtuar se themelimi i një asociacioni që do të ngjante me Republikën Serbe brenda Bosnje e Hercegovinës është tërësisht e papranueshme.

“Pavarësisht ideve të ndryshme që mund të qarkullojnë poshtë e lartë, edhe prej diplomatëve të ndryshëm, në Kosovë do të jetë tërësisht e papranueshme themelimi i ndonjë asociacioni me mandat ekzekutiv që do të mund të ngjante me një Republikë Serbe, apo të ndonjë modeli gjermano-gjerman, sepse nuk mund të shkohet me ndonjë model të tillë mes Kosovës dhe Serbisë, sepse një model i tillë do të mund të shkonte vetëm në rrethana të tjera, apo të një ideje që ju e keni dëgjuar në mediume të ndryshme edhe tuajat, të ndonjë sovraniteti të dyfishtë, në marrëveshje të tillë mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë si vende të pavarura dhe sovrane.

Ne mbesim me shpresë që ky proces të jetë i pakushtëzuar, pra dialogu dhe ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe angazhimin dhe lehtësimin e këtyre përkushtimeve që të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi”, tha ai.

 

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë për procesin e Brdo-Brijun. Përveç presidentëve të shteteve, të ftuar nderi janë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, me prezencë të shefes për politikë të jashtme, Federica Mogherini.

Mëngjesin e së enjtes delegacionet kanë arritur në hotelin ku do të mbahet samiti, që nikoqir sivjet është presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Përveç Metës, mysafirët u pritën edhe nga themeluesit e kësaj nisme, presidentja kroate Kolinda Grabar Kitarovic dhe presidenti slloven Borut Pahor. Aty shtrënguan duart dhe realizuan fotografitë ceremoniale.