Të Moshuarit, të Lënë Anash

Problemet me të cilat ballafaqohen të moshuarit e Kosovës, sidomos sa i përket trashëgimisë, mungesa e shtëpive të pleqve si dhe çështje të ndryshme ligjore që kanë të bëjnë me këtë kategori, janë tema që janë trajtuar në një tryezë të organizuar nga Avokati i Popullit në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.

Konkluzion i tryezës me temën “Personat e moshuar nën përkujdesje institucionale, të drejtat dhe trajtimi i tyre i barabartë” është se të moshuarit në Kosovë janë lënë anash dhe se nuk po trajtohen mirë.

Hilmi Jashari, Avokati i Popullit, potencoi se është evidente që kategoria e të moshuarve në Kosovë është e lënë anash. Ai përmendi faktin se në Kosovë ekzistojnë veç tri shtëpi të pleqve, ndërkohë që, sipas tij, për të tilla ka nevojë në të gjitha komunat e mëdha të vendit.

“Pse dikujt brenda kuadrit të njëjtë të sistemit juridik të Kosovës dhe territorit të njëjtë i mundësohet të gëzojë një përkujdesje të tillë, e dikujt tjetër jo. Në momentin kur nuk është e rregulluar qysh duhet sigurisht se do të jetë çështje e trajtimeve abuzive ose e keqpërdorimeve të së drejtës pronësore që duhet t’i gëzojë kjo kategori e personave. Paraqitet një rrezik potencial që të moshuarit për herën e dytë apo të tretë të jenë viktimë e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Nëse sot dakordohemi për këto konkuldime, ne qysh sot jemi të gatshëm ta njoftojmë Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut për këtë kategori të personave”, tha Jashari.

Avokati i Popullit gjithashtu përmendi faktin se kriteret e përcaktuara me udhëzim administrativ po sjellin diskriminim për të moshuarit.

Qazim Gashi, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), tha se në këtë Ministri ekzistojnë disa skema për kujdes dhe mbrojtje të të moshuarve, veçanërisht skema pensionale, pensioni i moshës dhe shtëpia e pleqve.

“Nga buxheti i MPMS-së përfitojnë 300 mijë qytetarë apo 15 për qind e tërë popullsisë. Ministrisë trajtimi i një të moshuari në shtëpi të pleqve i kushton ndërmjet 900 e 1,000 euro”, tha zyrtari i MPMS-së, i cili tregoi se në Shtëpi të Pleqve ka edhe persona që nuk i përkasin kategorisë së të moshuarve por që trajtohen aty.

Ndërsa, drejtoresha e Shtëpisë së Pleqve në Prishtinë, Raze Aliçkaj, tha se në këtë institucion mungon stafi mjekësor dhe se objekti nuk i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme. [interaction id=”56d863994ab46a01036b838e”]