Ndotja e ajrit Prishtine, 30 janar 2018 - Foto: Atdhe Mulla

Sylë Tahirsylaj: Ndalimi i qymyrit pa efekt në uljen ndotjes së ajrit

Kosova që disa vite kryeson listën e vendeve me nivelin me të lartë nga ndotja e ajrit, që sipas ekspertit dhe profesorit të Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj e gjithë ndotja ka një emër ‘faktorin njeri’.

Tahirsylaj në një bisedë për KALLXO.com thotë se ndotësit më të mëdhenj janë termocentralet dhe qarkullimi i automjeteve të vjetra, gjithashtu ai shtron nevojën e institucioneve që të bëjnë më shumë në këtë gjendje ‘alarmante’.

“Në vitin e kaluar patëm një situatë alarmante për shkak edhe të kushteve atmosferike që janë shumë faktor në Kosovë që ndikojnë në ndotje të ajrit duke filluar nga mjetet e komunikacionit, amvisëria, industria, termocentralet që përbëjnë një numër të madh të ndotëseve që vijnë nga faktori njeri. Ne në Kosovë nuk kemi institucion që e bënë kalibrimin e temperaturave dhe duhen masat e shumëfishta duhet të respektohet ligji mbi ajrin që është i aprovuar në Bruksel dhe në Kuvendin e Kosovës siç janë ligji për ujërat dhe janë shumë ligje të tjera që e qartësojnë problemin dhe obligimet që i kanë ndotësit siç janë termocentralet. Ata duhet të vendosin filtra pasi që ato e zvogëlojnë imisionet të dalura nga oxhaqet që paraqet edhe ky problem”, tha ai.

I pyetur se sa do të përmirësohet gjendja atmosferike këtë vit pas parandalimit të përdorimit të thëngjillit, ai shprehet pesimist.

“Parandalimi i thëngjillit nuk është zgjidhje, s’kanë lidhje me atë punë, s’janë marrë kurrë me atë punë e del me këtë çështje. Por problemi është te termocentralet dhe mjetet e komunikacionit ato grimca që lirohen shkojnë deri 1 metër e njëzet, të gjitha ato mjete të cilat i kanë largu vendet evropiane janë në vendin tonë dhe nuk bëhet kontrolli teknik i mjeteve që të jenë në qarkullim dhe këto janë përherë të pranishme”, tha Tahirsylaj në një prononcim për KALLXO.com

Linku ku mund ta përcillni online gjendjen e ajrit: KLIKO KËTU