Sulmet e NATO-s Përkujtohen Përmes ‘Facebook’-ut

Përvjetori i shtatëmbëdhjetë i fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të forcave serbo-jugosllave që kishin ndërmarrë fushatës të pastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës nuk është shënuar me asnjë aktivitet nga institucionet kosovare.

Zyrtarët shtetërorë të Kosovës këtë ditë e kanë përkujtuar përmes postimeve në profilet e tyre në “Facebook”.

Presidenti i zgjedhur i Republikës, Hashim Thaçi, theksoi se ndërhyrja e Aleancës Veri-Atlantike ishte një shpresë e re për popullin e Kosovës, i cili, sipas tij, po përjetonte terrorin shfarosës të regjimit të Millosheviqit.

“Mundësitë diplomatike për të parandaluar këtë terror që tronditi botën e qytetëruar kishin shteruar dhe, për të mbrojtur vlerat e këtij qytetërimi njerëzor, ndërhyrja e NATO-s ishte bërë e pashmangshme. Ajo ishte një kapitull i ri i historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësisë sonë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij, duke theksuar se institucionet dhe populli i Kosovës do t’i jenë përjetësisht mirënjohës aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka nderuar dhe falënderuar të gjithë burrat dhe gratë e NATO-s dhe të qeverive demokratike që ndihmuan dhe përkrahën çlirimin e Kosovës.

“Momentet më të lavdishme në historinë njerëzore janë ato kur kauza e një populli për të qenë i lirë bëhet kauzë e të gjithë njerëzimit. 24 marsi i vitit 1999 është një moment i tillë”, shkruan Veseli në llogarinë e tij në “Facebook”.

Kurse, kryeministri Isa Mustafa në një postim në “Facebook” ka thënë se përfshirja e NATO-s në luftën e Kosovës shënon fillimin e fundit të okupimit të Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë.

“Fushata 78 ditëshe e sulmeve të NATO-s dhe lufta heroike e popullit të Kosovës për çlirimin e vendit rezultuan me dëbimin e forcave okupuese të Serbisë nga Kosova, që i hapi udhë lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në vendin tonë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, përvjetori i fillimit të fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbo-jugosllave nuk është shënuar me asnjë manifestim apo aktivitet nga institucionet e vendit.

Nga seanca e Parlamentit të Kosovës, megjithatë, ka dalë një propozim për ndërtimin e një memoriali në nderim të fillimit të sulmeve, të cilat rezultuan me dëbimin e forcave serbe nga Kosova më 12 qershor 1999.

Deputetja Melihate Tërmkolli kërkoi që vitin e ardhshëm, në përvjetorin e 18-të të nisjes së bombardimeve të NATO-s, te ketë një memorial të tillë.

“Është e habitshme si edhe 17 vjet më pas, në Kosovë apo në Prishtinë në veçanti, nuk kemi një memorial ose një lapidar, në shenjë falënderimi për kontributin e pazëvendësueshëm të NATO-s për shpëtimin e popullit te Kosovës dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia”, tha ajo.

“Qeveria e Kosovës ta këtë parasysh një gjë te tillë dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe te domosdoshëm që vitin e ardhshëm në shënimin e përvjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës ta kemi një memorial sepse ishte akti ndër më të rëndësishmit në historinë edhe të NATO-s dhe në realizimin e vullnetit dhe kërkesave të qytetarëve të Kosovës për pavarësi dhe liri”, theksoi Tërmkolli.

Aleanca Veri-Atlantike në mbrëmjen e 24 marsit 1999 filloi një fushatë bombardimesh nga ajri kundër forcave serbo-jugosllave, të cilat kishin ndërmarrë një fushatë të pastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës.

Forcat serbe kishin nxjerrë me dhunë nga Kosova qindra mijëra shqiptarë, të cilëve ua kishin djegur shtëpitë, objektet e kultit, dhe ua kishin shkatërruar dokumentet.

Gjatë kësaj kohe, forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe kishin vrarë mijëra civilë dhe kishin përdhunuar shumë femra shqiptare.

Mbi 1.000 persona të vrarë gjatë kohës së luftës ende konsiderohen të zhdukur. Forcat serbe me qëllim të fshehjes së krimeve i kishin dërguar shumë trupa të viktimave në Serbi për t’i fshehur apo edhe për t’i zhdukur.

Bombardimet e NATO-s, të cilat ishin mbështetje për UÇK-në që luftonte kundër forcave serbe në tokë, kanë zgjatur 78 ditë.

Fushata e sulmeve ajrore u ndal pasi regjimi i Beogradit nënshkroi marrëveshje me Aleancën Veri-Atlantike më 10 qershor 1999 në Kumanovë të Maqedonisë, marrëveshje që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe-jugosllave nga territori i Kosovës, ku forcat e NATO-s do të fillonin të hynin më 12 qershor.