Gjykimi i Sami Lushtakut për ikjen nga QKUK-ja | Foto: KALLXO.com

Sot Sami Lushtaku në Gjykatë për Ikjen nga QKUK-ja

Edhe sot është paraparë të zhvillohet seanca e gjykimit kundër të akuzuarve në lidhje me ikjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja.

Në këtë proces gjyqësor përveç ish-kryetarit të Skenderajt, janë të akuzuar edhe djali i tij Mërgimi, deputet i Kuvendit të Kosovës, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë e gardianë.

Sot në gjykimin e Sami Lushtakut dhe 23 personave tjerë do të zhvillohet seanca e dytë e këtij gjykimi, ku kundërshtohet aktakuza.

Në seancën e kaluar, Lushtaku dhe të tjerët u deklaruan të pafajshëm.

Seanca fillestare e këtij gjykimi dështoi të zhvillohet disa herë.

http://kallxo.com/perpjekja-e-trete-per-nisjen-e-gjykimit-rreth-arratisjes-se-lushtakut-nga-qkuk-ja/

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg