Foto: Kallxo.com

Gjykata sot pritete ta shpallë vendimin ndaj Sami Lushtakut në rastin ‘Arratisja nga QKUK’

Ndonëse në gjendje pandemie duke u përballur me parandalimin dhe luftimin e virusit CoVid-19, dhe pa publikun prezent sot pritet të shpallet vendimi gjyqësor ndaj ish kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut dhe të akuzuarve të tjerë, në rastin ‘Arratisja nga QKUK-ja’.

Gjykata ka vendosur ta trajtojë me urgjencë lëndën ndaj Sami Lushtakut dhe të akuzuarve të tjerë pasi që rrezikon të parashkruhet për njërën pikë të akuzës.

Kryetari i trupit gjykues në këtë rast është gjykatësi i njohur Shashivar Hoti, i cili me 3 janar të këtij viti shpalli vendimin me të cilin liroi nga akuza Adem Grabovcin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Vendimi ndaj Sami Lushtakut, Sahit Jasharait dhe Ismet Haxhës, do të shpallet lidhur me veprën arratisja e personit të privuar nga liria.

Ndërsa deputeti Mërgim Lushtaku, i bir i Sami Lushtakut do ta marrë vendimin për veprën penale ‘lehtësimi i arratisjes së personit të privuar nga liria’.

Kujtojmë se e bashkakuzaur në këtë proces penal ishte edhe tani e dënuara Myrvete Hasani Lushtaku, gruaja e Sami Lushtakut për veprën penale lehtësim i arratisjes personit të privuar nga liria.

E dënuar Myrvete Lushtaku kishte hyrë në marrëveshje me Prokurorinë e Shtetit dhe si rezultat me 4 dhjetor të vitit 2019, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 3 mijë e 500  euro.

Ndërsa është pushuar procedura penale ndaj ish të akuzuarit tani të ndjerit Sami Gjoka, për veprat  penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare, falsifikim i dokumentit zyrtar dhe lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria pasi që i njëjti me 31 mars kishte ndërruar jetë.

KALLXO.com ka raportuar për vdekjen e kirurgut Sami Gjoka.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

Aktakuza përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues. Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë. Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim