Gjykimi në rastin 'Arratisja nga QKUK-ja' - 20.02.2020

Hajredin Kuçi nuk do të dëshmojë kundër Sami Lushtakut

Prokurori i EULEX-it Jonatan Ratel, është propozuar nga avokati i të akuzuarit Sami Lushtaku, që të dëgjohet si dëshmitar në gjykimin “Arratisja nga QKUK-ja”.

Avokati Arton Çerkini, propozoi që Jonatan Ratel të dëgjohet si dëshmitar.

Në anën tjetër prokurorja Florije Shamolli ka hequr dorë që ish-ministri i Drejtësisë nga PDK, Hajredin Kuçi, të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit, me arsyetimin se aktakuza nuk është e mbështetur në dëshminë e tij.

Gjykimi në rastin ‘Arratisja nga QKUK-ja’ – 20.02.2020

Aktakuza në rastin e njohur si “Arratisja nga QKUK-ja”, përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë.

Sami Lushtaku, Emrush Thaçit, Ismet Haxhës, Mërgim Lushtakut, Dardan Gecit, Bashkim Dervishollit, Valon Behramjat, Argjend Behramajt, Ylber Blakës, Gzim Ahmetit, Xhevdet Zemës, Myrvete Lushtakut, Agim Ukës, Ismail Dibranit, Sami Gjokës, Negjip Shtarit, Rrustem Rrukollit, Rexhep Gjotës, Skender Tahirit, Bajram Dibranit, po gjykohen për veprën penale mundësim i arratisjes personit të privuar nga liria.

Dosja e Prokurorisë përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Sami Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë proces gjyqësor – LINK