Gjykimi për arratisjen e Sami Lushtakutnga QKUK-ja - 09.10.2019

Përfundon gjykimi ndaj Sami Lushtakut në rastin ‘Arratisja nga QKUK-ja’

 

Ndonëse në kohën e pandemisë me Covid-19, Gjykata e Prishtinës ka trajtuar me urgjencë çështjen penale në rastin e njohur si “Arratisja nga QKUK”.

Ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku si dhe Ismet Haxha e Sahit Jashari akuzohen se janë arratisur nga QKUK-ja në maj të vitit 2014 për të mos shkuar në qendrën  Paraburgimit në Mitrovicë.

Ndonëse seanca e sotme ishte paraparë që të mbahej me 30 mars, e njëjta nuk ishte mbajtur për shkak të pandemisë së coronavirusit.

KALLXO.com, ka mësuar nga avokati Artan Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku, se në seancën e sotme kanë dhënë mbrojtjen 3 prej të akuzaurve si dhe u dha fjala përfundimtare.

Ndërsa aktgjykimi në këtë çështje penale do të shpallet me 14 prill.

Aktakuza përfshinë një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejtë një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.

KALLXO.com me 17 mars, ka raportuar për rrezikun e parashkrimit të kësaj vepre penale në muajin maj të këtij viti.

Poashtu Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, ka transmetuar emisionin “Virusi në Drejtësi” ku në mënyrë të detajuar është shpjeguar parashkrimi në këtë lëndë penale.