Sami Lushtaku

Sami Lushtakut në maj i parashkruhet akuza për arratisjen nga QKUK

Ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushatku, me 22 maj të këtij viti do të arrijë parashkrimi absolut i veprës penale që i vihet në barrë – “arratisje e personit të privuar nga liria”.

Procesi gjyqësorë në këtë rast është në përfundim në Gjykatën Themelore mirëpo edhe nëse përfundon, çështja në Gjykatën e Apelit ka shumë gjasa që mund të parashkruhet për shkak se afatet kohore janë të shkurta.

Për këtë vepër penale mund të shqiptohet dënimi deri në 3 vjet.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ka paraparë se llogaritja e vjetërsimit të lëndës penale fillon të rrjedhë nga momenti i kryerjes së veprës penale.

Legjislacioni penal parasheh për veprat penale të dënueshme me më shumë se 1 vit burgim se vjetërsimi i tyre do të bëhet pasi të kenë kaluar 3 vjet.

Në rastin “Arratisja nga QKUK-ja”, ku njëri ndër të akuzuarit është Sami Lushtaku, kemi të bëjmë me parashkrimin-vjetërsimin absolut të veprës penale.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, më parashkrim – vjetërsim absolut nënkupton dyfishin e kohës së kaluar të parashkrimit.

Në rastin konkret, Lushtaku, Jashari dhe Haxha, akuzohen se kanë kryer veprën penale prej 20 deri në 22 maj të vitit 2014, dënueshmëria është deri në 3 vjet, me 22 maj 2017 ka arritur parashkrimi relativ, ndërsa me 22 maj 2020 do të arrijë parashkrimi absolut i kësaj vepre penale.

Pasoja e parashkrimit absolut të kësaj vepre penale në rast se Gjykata merr aktgjykim dënues është se nuk mund të ekzekutohet dënimi për shkak të parashkrimit të lëndës që ndodhë në Gjykatën e shkallës së dytë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, nga viti 2016, së bashku me Sahit Jasharin dhe Ismet Haxhën po përballet me akuzën e Prokurorisë Speciale për veprën penale arratisja  e personit të privuar nga liria, që në opinion njihet si rasti “Arratisja nga QKUK-ja”.

Ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku së bashku me Ismet Jasharin dhe Ismet Haxhën, në vitin 2014 ishin në qendrën e paraburgimit në Dubravë, në vuajtje të dënimit për rastin e njohur ‘Drenica 1’.

Aktakuza, për arratisjen nga QKUK-ja ishte ngritur me datën 17 nëntor 2016.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se nga mëngjesi i 20 majit e deri në orët e mbrëmjes së 22 majit në objektet e Spitalit Rajonal të Prishtinës duke vepruar sipas një plani të përbashkët, derisa kanë qenë në paraburgim ata (Lushtaku, Jashari dhe Haxha), kanë ikur nga dhomat e spitalit në të cilat kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Lushtaku, Jashari dhe Haxha janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në bazë të vendimit të ligjshëm për privimin e tyre.

Sipas Prokurorisë qëllimi i arratisjes nga QKUK-ja ishte mosekzekutimi i vendimit te gjyqtarit të EULEX-it, për transferimin e të akuzaurve nga Qendra e Paraburgimit të Dubravës për në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Për të cilin vendim Sami Lushatku ishte deklaruar në Gjykatë se nuk do shkonte i gjallë në Mitrovicë.