Arkiv - Gjykimi për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja - 02.12.2019
Të akuzuarve në rastin ‘Arratisja nga QKUK-ja’ u matet temperatura nga mjekët në hyrje të Gjykatës
Ndonëse, në kohën e pandemisë me Covid-19, Gjykata e Prishtinës ka trajtuar me urgjencë çështjen penale në rastin e njohur si “Arratisja nga QKUK”.
Ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku si dhe Ismet Haxha e Sahit Jashari dhe akuzohen se janë arratisur nga QKUK-ja në maj të vitit 2014 për të mos shkuar në qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
Sot para se të fillojë seanca të akuzuarit janë kontrolluar nga ekipi mjekësor për gjendjen e tyre shëndetësore dhe të njëjtëve u është matur temperatura.
Poashtu Gjykata e Prishtinës, është kujdesur që të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë duke siguruar distancën sociale, furnizimin me dorëza dhe meterie dezinfektuese.
Ndonëse seanca e sotme ishte paraparë që të mbahej me 30 mars, e njëjta nuk ishte mbajtur për shkak të pandemisë së coronavirusit.
KALLXO.com, ka mësuar nga avokati Artan Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku, se në seancën e sotme ka përfunduar gjykimi dhe shpallja e vendimit do të bëhet me datën 14 prill..
Aktakuza përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.
E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.
Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.
Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.
Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.
Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.