Naim Morina. Foto: Kallxo.com

Si u Fitua Pozita e Asistentit me Lobime te Senatorët e UP-së?

Në hulumtimin e emisionit ” Jeta në Kosovës”, Morina tha se i ka përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar me statut të UP-së që sipas tij janë specializimi, doktorata dhe nota mesatare e studimeve mbi 8.

Por gjatë hulumtimit është vërtetuar që Naim Morina nuk e ka të përfunduar specializimin i cili është kusht për lëndët klinike në Fakultetin e Mjekësisë. Po ashtu Morina nga viti 2011 ka të regjistruar doktoratën në Universitetin e Tiranës por nuk e ka përfunduar meqë, sipas tij, ka pasur një vendim nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë për pezullim të mbrojtjes së doktoratave.

Pranimi i Morinës kishte bërë që kandidatja tjetër Rozafë Koliqi të refuzohej, pavarësisht se ajo pretendon se qëndronte më mirë në përmbushjen e kritereve.

Morina gjatë intervistës ka pranuar se ka dërguar letër të gjithë senatorëve të Universitetit të Prishtinës, një ditë para se të votohet për zgjedhje të një asistent për lëndën Farmaci Klinike.

“Në konkursin e shpallur më datën 13.01.2015 për zgjedhjen e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës kam aplikuar për rizgjedhje në lëndën Farmaci Klinike me Farmokoterapi. Bazuar në nenin 178 të statutit të UP-së dhe konkursin e datës 13.01.2015 i plotësoj të gjitha kushtet për rizgjedhje nga kjo lëndë, jam në vitin e tretë të specializimit nga kjo lëndë, kam dorëzuar temën e doktoratës për mbrojtje nga kjo lëndë, kam notën mesatare 8.75 në studimet e përfunduara dhe jam shpallur student i dalluar i UP-së në vitin 2005”, thuhet në letrën e Morinës.

Morina gjatë intervistës për emisionin “Jeta në Kosovë” ka pranuar se është takuar me senatorë para se të votohet në Senat të UP-së ndërsa ka treguar se edhe ka darkuar me Bujar Dugollin, dekan në Fakultetin Filozofik, person me ndikim në Universitetin e Prishtinës.

“Unë nuk mund t’i numëroj por me të gjithë senatorët që mu ka dhënë mundësia t’i takoj, jam takuar dhe të njëjtën gjë që po e bëj me ju. I kam shpalosur dokumentacionin me ata që kam arritur të takohem. Jam takuar me Bujar Dugollin, ia kam dhënë komplet dokumentacionin”, tha Morina.

Deklaratën e Naim Morinës mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: