Arber Bullakaj - Burimi i fotos fcb A. Bullakaj

Shqiptaro-zvicerani Arbër Bullakaj nominohet si kandidati i parë për zgjedhjet e Parlamentit nacional të Zvicrës

Partia Socialdemokrate (PSD) e Kantonit St. Galen në Zvicër ka njoftuar se shqiptaro-zvicrani Arbër Bullakaj do të jetë kandidat për ulëse në Parlamentin federal të Zvicrës në zgjedhjet e vitit 2019, raporton Prointegra.ch.

Arbër Bullakaj është nënkryetar i PSD-sç të Kantonit St. Galen. Ndërmarrësi nga qyteti Will që nga viti 2013 përfaqëson PSD-në në parlamentin e qytetit.

Sipas Prointegra.ch, aty ai ka bërë emër në politikat financiare dhe sociale. Krahas kësaj, ai angazhohet për lehtësimin e marrjes së nënshtetësisë dhe njihet edhe si avokat politik për shoqatat kulturore dhe njerëzit me sfond migrimi.

Sekretari politik i PSD-së SG, Guido Berlinger-Bolt i cili bashkëpunon me Arbër Bullakajn në Kryesinë e PSD që nga viti 2013, me rastin e propozim-nominimit ka deklaruar se kandidati Arbër Bullakaj falë angazhimit të tij të gjtihanshëm për shoqërinë dhe PSD-në posedon një përvojë shumë të madhe.

“Ai arrin që në një kohë të shkurtër të jetësojë praktikisht projekte të rëndësishme politike, ka aftësinë të ndërtojë ura komunikimi me kundërshtarët politik dhe të përdorë këto marrëdhënie për fitim të përgjithshëm. Është tip krijues që i rreket punës me përkushtim angazhues ndjek synime për të krijuar më shumë mundësi barazie”, ka thënë Berlinger – Bolt, raporton Prointegra.ch.

PSD në fushatën zgjedhore ka për qëllim fuqizimin e forcave përparimtare në Parlamentin federal në Bernë.

Temat më të rëndësishme në fushatën e vitit të ardhshëm do të jenë shanse të njëjta për gra dhe burra – barazi pagash, pajtueshmëri më të mirë mes punës profesionale dhe jetës familjare, politika shëndetësore dhe spitalore – kufizim të premive të arkave shëndetësore, përkujdesje shëndetësore gjithëpërfshirëse dhe cilësore në Kantonin St. Galen, paga të mira, pensione të sigurta, ngrohja klimatike – më shumë angazhim të Zvicrës për ekonomi dhe shoqëri të qëndrueshme me aftësi për të një ardhme ekologjike.