Ana Frank | Foto: Wikipedia Commons

Shkolla Kroate Heq Ekspozitën për Ana Frank-un

Një ekspozitë udhëtuese rreth Ana Frank-ut, viktimës së Holokaustit dhe vajzës që mbante ditar u hoq nga një shkollë e mesme në qytetin bregdetar të Shibenikut, pasi drejtori i shkollës u ankua se ajo portretizonte negativisht lëvizjen fashiste ustashe kroate, njoftuan të enjten mediat vendase.

Ekspozita arsimore për nxënësit përshkruan jetën e Ana Frank-ut, por tregon gjithashtu një kontekst më të gjerë të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, si dhe efektet e saj në Kroaci dhe në rajon, duke theksuar krimet e kryera kundër serbëve, hebrenjve, romëve dhe antifashistëve nga ustashët.

Drejtori i shkollës Josip Belamariq u kërkoi organizatorëve të ekspozitës, OJQ-së Hermes – partnerit lokal të muzeut Shtëpia e Ana Frank-ut me seli në Amsterdam, të hiqte gjashtë panele që përshkruajnë kontekstin vendas të luftës.

“Sipas këtyre paneleve, duket se ustashët ishin kriminelë që therën serbë, hebrenj, fëmijë që po vdisnin urie dhe se partizanët (komunistët jugosllavë) ishin të pafajshëm. Po krimet e kryera nga partizanët?,” tha Belamariq për faqen vendase të lajmeve Shibenik.

Belamariq pyeti se pse nuk kishte posterw që tregojnë atë që ndodhi në maj 1945 kur “partizanët vranë kroatët” në Bleiburg në Austrinë jugore, ose për kampin jugosllav të burgimit në ishullin Goli Otok që drejtohej nga komunistët.

Maja Nenadoviq nga Shtëpia e Ana Frank-ut tha për BIRN-in se ky ishte problemi i parë që ata kishin hasur pas 23 ekspozitash të suksesshme në Kroaci, që tërhoqwn më shumë se 40,000 vizitorë.

“Për momentin, s’jam në pozitë për të thënë nëse ky është një incident i drejtë dhe i izoluar, apo është diçka me të cilën do të përballemi në Kroaci më shpesh,” tha Nenadoviq.

Ajo tha se fëmijëve “nuk duhet t’u serviren disa ‘të vërteta dhe dogma përfundimtare’” ose të manipuloheshin për të mbajtur anë për atë që ndodhi 70 vjet më parë.

Koordinatori i ekspozitës nga Hermes, Tvrtko Pater, tha të enjten se ekspozita “s’ka asnjë kuptim” pa kontekstin vendas.

“Ne e dimë që për të (drejtorin e shkollës Belamariq) ishte problem që ne nuk paraqitëm Bleiburgun, por ne e mbuluam atë temë brenda trajnimit (të nxënësve që shërbyen si guida për ekspozitën) sepse tabela ekspozuese nuk i nxë të gjitha,” tha Pater për mediat vendase.

“Madje, i ofruam shkollës të bënim panele të tjera ku do të paraqiteshin pjesë të historisë që drejtori mendonte se po mungonte, por ata refuzuan dhe fatkeqësisht ne jemi detyruar ta tërheqim ekspozitën,” tha Pater.

Pater dërgoi një letër të hapur për mediat të premten, duke pretenduar në Kroaci ështw rritur numri i çështjeve në të cilat politikanët dhe grupe të tjera të interesit po përdorin historinë për të krijuar përçarje midis “nesh, të mirëve dhe atyre, të këqijve”.

“Heqja e gjashtë paneleve të fundit të ekspozitës forcon idenë se Lufta e Dytë Botërore është diçka që po u ndodhte gjermanëve dhe hebrenjve dhe se kjo luftë ka lidhje vetëm me ata,” tha ai në letër.

“Të injorosh faktin se Kroacia ishte pak a shumë pjesë e asaj lufte, do të thotë të shtypësh historinë dhe ne nuk ishim gati të merrnim pjesë në një kompromis të tillë të rremë,” shtoi ai.

Një hebreje gjermane, adoleshentja Ana Frank mbajti një ditar, ndërsa fshihej me familjen e saj në Amsterdam. Ajo u kap nga Gestapoja në gusht të vitit 1944, së bashku me familjen e saj dhe u transportua në Aushvic.

Ajo vdiq në kampin e përqendrimit gjerman të Bergen-Belsenit në mars të vitit 1945 në moshën 15 vjeçare. Babai i saj e zbuloi ditarin e saj pas luftës dhe pasi u botua si libër në vitin 1950, ai u shndërrua në një nga librat më të shitur në botë.