Foto: REL/Reuters

SHBA mirëpret ‘dëshmitë’ e prezantuara nga Izraeli për Iranin

Shtetet europiane kanë hedhur poshtë rëndësinë e dokumenteve të prezantuara nga Izraeli si prova se Irani ka kërkuar të zhvillojë armë bërthamore, përderisa Shtetet e Bashkuara i kanë mirëpritur ato.

“Dokumentet tregojnë se Irani ka pasur një program sekret bërthamor për vite të tëra”, përderisa ka mohuar se po tenton të krijojë armë të tilla, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

“Kjo do të thotë se marrëveshja bërthamore nuk është ndërtuar mbi thelemet e vullnetit të mirë dhe transparencës. Është ndërtuar mbi gënjeshtrat e Iranit”, ka thënë Pompeo.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka prezantuar të dhëna, që sipas tij dëshmojnë se Irani ka kërkuar që të ketë armë bërthamore.

Por, fuqitë europiane kanë thënë se nuk janë të impresionuara nga rreth 55 mijë dokumentet që Netanyahu ka pretenduar se janë prova që Irani ka planifikuar të zhvillojë ekuivalentin “e pesë bombave të Hiroshimës, që do të vendoseshin në raketa balisitike”.

“Ne asnjëherë nuk kemi qenë naivë ndaj Iranit dhe qëllimeve të tij bërthamore”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë britanike, duke shtuar se marrëveshja bërthamore e arritur më 2015, në mes të Teheranit dhe fuqive botërore, përmban një kontroll të vendeve të dyshuara iraniane, për programin bërthamor.

Ambasadori francez në Uashington, Gerard Araund, ka shkruar në Twitter se të dhënat për aktivitetet bërthamore iraniane në të kaluarën – para se marrëveshja të nënshkruhej–janë argumente në favor të marrëveshjes, jo kundër saj.

Të dhënat e prezantuara nga Netanyahu mbi programin bërthamor të Iranit, vijnë disa javë para afatit të vendosur nga presidenti, Donald Trump që kjo marrëveshje të përmirësohet.

Trump ka thënë se nëse marrëveshja nuk përmirësohet deri më 12 maj, atëherë Uashingtoni do të tërhiqet nga pakti bërthamor.