Serbia Dorëzoi Kërkesën për Ekstradimin e Haradinajt

Agjensia serbe e lajmeve Tanjug i referohet zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë të cilët kanë thënë se kërkesa për ekstradimin e Haradinajt në Serbi është dorëzuar sot.

Përderisa institucionet dhe bashkëpunëtorët e Haradinajt në Kosovë po angazhohen që kjo të mos ndodhë, Tanjug raporton se bashkë me kërkesën për ekstradim, autoriteteve franceze u është dorëzuar edhe “dokumentacioni përcjellës i përkthyer në frëngjisht në bazë të të cilit drejtësia franceze do të vendosë nëse janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt në Serbi”.

Haradinaj është arrestuar të mërkurën e kaluar nga autoritetet franceze më Aeroportin e Bazelit në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga drejtësia serbe në vitin 2004 meqë prokuroria në Serbi e kërkon atë si të dyshuar për krime të luftës në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Arrestimi i haradinajt ka tensionuar situatën politike në Kosovë dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aktualisht Kuvendi i Kosovës është duke e mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për arrestimin e Ramush Haradinajt.