Milorad Dodik, President i Republikës Serbe të Bosnjës

Serbët e Bosnjës, Referendum për Festën Kombëtare

Asambleja Kombëtare në Banja Luka votoi të premten për të mbajtur një referendum më 25 shtator në lidhje me pushimin vjetor me rastin e Ditës së Republikës Srpska në entitet.

Media lokale raportoi se pyetja e referendumit do të jetë: “A jeni dakord që 9 janari duhet të shënohet dhe festohet si Dita e Republikës Srpska?”

Kjo lëvizje është një reagim ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, e cila në nëntor 2015 e deklaroi si antikushtetuese Ditën e Republikës Srpska, sepse ishte diskriminuese ndaj banorëve jo-serbë të entitetit, një vendim që u kritikua ashpër nga serbët.

9 janari shënon përvjetorin e themelimit të Republikës Srpska në vitin 1992, por është gjithashtu një festë fetare ortodokse, Dita e Shën Stefanit, e cila është edhe arsyeja pse Gjykata Kushtetuese Boshnjake e konsideroi atë si diskriminues ndaj rezidentëve me përkatësi tjetër fetare dhe etnike të entitetit.

Vendimi për të mbajtur referendumin u mbështet nga anëtarët e të gjitha partive serbe të Bosnjës në Asamble.

Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik tha se kjo ishte një ditë historike.

“I kam bërë thirrje të gjithëve që tani e në vazhdim të mblidhen rreth këtij referendumi,” tha Dodik, raportoi agjencia e lajmeve SRNA.

Seanca parlamentare e të premtes u bojkotua nga deputetë të Koalicionit Domovina, i cili përbëhet kryesisht nga boshnjakë.

“Ne nuk duam të jemi pjesë e kësaj seance dhe të rrëzohemi me vota. Nuk duam të marrim pjesë në diçka që është antikushtetuese,” tha Senad Bratiç, zv/kryetari i Asamblesë Kombëtare dhe anëtar i Domovinës, raportoi stacioni televiziv rajonal N1.

Anëtarët e Domovinës i bënë gjithashtu thirrje zyrtarit të lartë ndërkombëtar të Bosnjës, Përfaqësuesi i Lartë Valentin Inzko, të ndërhyjë dhe bllokojë vendimin për të mbajtur referendumin, duke pretenduar se ai shkel Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës.

“Duke marrë parasysh fakt8in që ky vendim ka karakter anti-Dejton, i bëj thirrje Përfaqësuesit të Lartë dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë nga komuniteti ndërkombëtar të sanksionojnë këto veprime,” tha Mihnet Okiç, deputet i Domovinës.

Dodik tha se organizimi i referendumit më 25 shtator do të japë mjaftushëm kohë për të adresuar çdo pengesë të mundshme dhe hodhi poshtë thirrjen që Domovina i bëri Përfaqësuesit të Lartë.

“Ata besojnë se Përfaqësuesi i Lartë dhe Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, në të cilën ne kemi një shumicë të përbërë nga boshnjakë dhe gjyqtarë të huaj, mund të përcaktojë të gjithë sistemin politik,” tha Dodik.

“Sigurisht që ajo kohë ka marrë fund,” shtoi ai.