Gruaja e rikthyer nga Siria, cila ishte përfituese e pajises së rrobaqepësisë, Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i grave që pasë luftës në Siri e Irak synojnë ta ndërtojnë jetën në Kosovë

Kanë kaluar më shumë se një vit prej kur 34 gra nga Kosova i  lanë kampet e refugjatëve në Irak dhe morën rrugën e kthimit për në Kosovë.

Brenda një viti jetë në Kosovë ato janë përballur me proceset gjyqësore dhe me varfirnë e thelluar nga pandemia.

Kthimi i tyre ishte raportuar në mbarë botën për shkak se Kosova ishte njëri nga vendet e para që po riatdhesonte familjet e luftëtarëve.

Një vit pas gratë një pjesë e të cilave jetojmë pa burrat të cilët ose janë vrarë ose janë në burxhe kanë marrë përgjegjësinë për të mbajtur familjet.

12 nga to kanë nisusur së fundmi kurset për rrobaqepësi me synimin që të nisin biznese të vogla që do ju ndihmojnë në krijimin e të ardhurave.

Për to janë garantuar tashmë edhe 12 makina për qepje të cilat janë donacion nga projekti i GCRF e i implementuar nga CDF.

Në njërën nga lagjet më të populluara të Prishtinës në Kalabri njëra nga të rikthyerat ka shpresë të nisë një veprimtari që do i garantoj të ardhura për të jetuar.

“Gati dy muaj kemi mbajt kurs. Kemi msu shumë. Kemi pasur që të qepim fustane e pantallona, kemi pasur një shtatë modele të fustaneve me i qep.  Unë mendoj që do ta shfrytëzoj deri në maksimum, shpresoj që do të punoj. Ëndrra ime është me qenë kreatore e rrobaqepësisë”, rrëfen gruaja e rikthyer nga Siria.

Ajo mendon se do krijoj një të ardhme në profesionin e ri ndërsa kujton se ka ndjekur disa programe pas rikthimit nga zona e luftës përfshirë trajtimet psikologjike

“Prindërit kanë qenë të kënaqur, prej se jam kthyer po dihet si ka qenë jeta atje (Siri) prej kur jam kthyer  skam qëndruar e mbyllur por gjithmonë aktive dhe me synim me msu sa më shumë” tregon  e rikthyera.

Gratë të cilat kanë kërkuar që të mbajnë kurs të rrobaqepësisë do të kenë mundësi që të mbajnë edhe një trajnim tjetër 3 mujor, në mënyrë që të licencohen dhe se të njëjtat të mund të vetëfinancohen në bazë të qepjeve që kryejnë.

Pajisja e rrobaqepësisë e dhuruar nga CDF, Foto: KALLXO.comKëtë e ka thënë për KALLXO.com edhe Udhëheqësja e Departamentit për Ri-integrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ganimete Gërbovci.

“Ky projekt zgjat 3 muaj dhe në fund të kursit do të certifikohen të gjitha gratë për ndjekjen e trajnimit. Ne paraprakisht kemi siguruar pajisjet që të praktikojnë edhe ato atë që kanë mësuar gjatë kursit. Të gjitha gratë janë të kënaqura, ne kemi një feedback shumë të mirë prej anës së tyre dhe besoj që do të vazhdojmë me projekte të tjera, për të i ndihmuar dhe ofruar një vetëpunësim që të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre”, thotë Gërbovci.

Gërbovci shton se objektivat e MPB-së për gratë e rikthyera nga Siria e Iraku janë që të ndihmojnë ato në vetëfinancim dhe menaxhim të financave.

“Objektivat tona janë që gratë të gjenerojnë të ardhura dhe si ministri e jona është që të i trajnojmë se si të menaxhohen financat gjithashtu pjesa tjetër që bashkërisht me komunitetin e biznesit të i sigurojmë që të kenë shitje të produkteve që i krijojnë. Po besoj që edhe gratë kanë me qenë të lumtura sepse shumica e nënave janë edhe nëna vetushqyese. Ato marrin social dhe sociali nuk është shumë i lartë dhe kjo do të i ndihmonte shumë kjo pjesa e gjenerimit të ardhurave me produktet e tyre”, shton ajo.

Tutje Gërbovci tregon edhe se janë në bisedime me një kompani e cila prodhon peshqirë e çarçafë, me ç’rast gratë që do të qepin këto prodhime do të mund të bashkëpunojnë me këtë kompani.

“Sipas trajneres këto kanë arritur që të marrin bazën e rrobaqepëses, nëse vazhdojnë edhe tre muaj të tjerë kursin e dytë ato do të certifikohen apo licencohen, kjo varet nga gratë, nëse i shiten produktet, ndonjë peshqir, çarçaf, ajo çka do, ne vetëm jemi në bisedim me një kompani e cila prodhon peshqirë, nëse realizohet ajo që këto gra me punu me këtë kompani besoj se do të jetë një gjë e mirë për të gjithë ne”, tregon tutje Gërbovci.

Të gjitha gratë të cilat kanë qenë përfituese të këtyre pajisjeve të qepjes, sipas Gërbovcit, kanë qenë fillimisht të interesuara që të mbajnë kurs të tillë.

“Këto kanë qenë kërkesat e vet grave sepse kur e kemi bërë vlerësimin të nevojave bazë për to, gratë kanë kërkuar vetë që të kenë kurse rrobaqepësie, pas këtij projekti ne kemi kërkesa të tjera të cilat do të i ofrojmë qoftë si grante, fillimisht do të i mbështesim disa familje që të shohim se si do të ec, kemi pasur edhe kërkesa për punë si për shembull në gastronomi, kurse të gjuhëve të ndryshme. Gradualisht do të shqyrtojmë edhe kërkesat tjera dhe shpresojmë që do të mbështetemi prapë nga donatori dhe do të kemi mundësi të i realizojmë aktivitetet për të pasur një të ardhme të ndritur këto familje dhe të gjenderojnë të ardhura që të mos i bëhen barrë shtetit por edhe të bëhen pjesë e komunitetit”, tregon Gërbovci.

Gërbovci shton se në partneritet me GSERF kanë arritur që të mundësojnë blerjen e pajisjeve për gratë e rikthyera nga Siria e Iraku dhe se të njëjtat mjete janë mundësi e mirë që gratë të mund të punojnë vet dhe të mbajnë familjet e tyre duke krijuar të ardhura nga prodhimi që mund të bëjnë nga rrobaqepësia.

Përfaqësuesit e MPB-së, GCRF dhe CDF, Foto:KALLXO.com

Udhëheqësja e Divizionit për Ri-Integrim shpjegoi edhe se aktivitete gjatë kësaj kohe janë mbajtur edhe me fëmijët e rikthyer nga vatrat e luftës.

“Për fëmijë ka pasur aktivitete dhe të njëjtën kohë kanë vazhduar me aktivitetet e tyre, përveç konsultave mjekësore apo shëndetit mendor nuk kemi praktikuar aktivitete, por kemi tash e tutje duke respektuar masat po vazhdojnë aktivitetet, të cilat janë për të mësuar ose si terapi për fëmijët që të kalojnë më shumë kohën e lirë. Fëmijët kanë ndjekur edhe mësimin online ndërsa për pajisje janë përkujdesur komunat veç e veç”, tregoi Gërbovci.

Madje ajo dha edhe detaje rreth gjendjes së të riatdhesuarve kur ishin rikthyer në prill të vitit të kaluar dhe tani pas një viti.

“Në bazë të raporteve, mendojmë që ndryshimet janë pozitive dhe shumë të mira. Mendoj që ka lëvizje në këtë drejtim sepse jemi munduar që vazhdimisht të zhvillojmë aktivitete ku kemi një trajtim i cili është shumë i mirë gratë përfitojnë mësime se si të i qasen fëmijëve problematik. Ka qenë aktivitet i mirëpritur dhe në vazhdimësi kemi pasur kurse që janë për vetëpunësim dhe po vazhdojmë me aktivitete të tjera”, shtoi ajo.

KALLXO.com kishte raportuar se gjate kohës se pandemisë COVID-19, aktivitetet për të rikthyerit ishin ndërprerë për shkak të masave të vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Por këto aktivitete janë rikthyer prapë pas lirimit të masave nga ana e Qeverisë së re.

“Ne duhet të respektojmë të gjitha masat kundër COVID-19, nëse ndërpriten aktivitetet atëherë ne do të i respektojmë të gjitha vendimet. Ne kemi marrë konfirmimin që aktivitetet mund të mbahen por duke respektuar të gjitha masat. Ne kemi menduar këtë çështje dhe e kemi ditë që nuk jemi duke u ballafaquar vetëm ne me këtë por i gjithë komuniteti por do të ecim në bazë të planeve dhe vendimeve të qeverisë”, tregon tutje Gërbovci.

Ajo dha detaje edhe rreth aktiviteteve ndërsa shtoi se mundësia e mbajtjes së aktiviteteve në formën online ka qenë e vështirë pasi që kushtet ekonomike të familjeve të rikthyera nuk kanë qenë të mira.

“Nuk kemi zhvilluar aktivitete online për shkak të gjendjes së tyre të kohës, por doktoresha ka zhvilluar seanca me të gjitha gratë. Aktivitete të tjera nuk kemi mujt me zhvillu sepse kushtet e tyre nuk janë të mira për me mbajt aktivitete online, jemi munduar që të paktën fëmijët të i pajisim që të marrin pjesë në mësimin online. Me projekte të tjera do të mundohemi të i ndihmojmë edhe më shumë këto gra. Kemi pasur vizita te familjet, me i pa si janë, si është gjendja aktuale, nëse kanë kërkesa të tjera dhe nëse kanë pasur kërkesa që nuk kanë mundur që të i realizojnë vet jemi munduar që të i ndihmojmë”, thotë ajo për KALLXO.com.

Tutje ajo vazhdon të tregoj për trajtimin e të rikthyerve edhe gjatë kohës së pandemisë.

“Ne kemi vizituar të gjitha këto familje gjithashtu kemi shtrirë rrjetin e vizitave, kemi vizituar edhe familje të personave që janë liruar nga burgjet e që pritet të lirohen nga burgjet. Kërkesa e parë ka qenë ushqimi dhe higjiena dhe këto i kemi kryer. Jemi munduar që të i mbulojmë kërkesat e tyre. Kërkesat janë akoma më të mëdha por jemi në koordinim me partnerët tanë që të shikojmë mundësinë apo formën e mëtutjeshme sepse është bërë një plan i mirë, kështu që e kanë vullnetin dhe mundësinë dhe do të i realizojmë aktivitete edhe më të mira për këto familje”, thotë ajo për KALLXO.com.

Duke pasur parasysh se shumica e grave të rikthyera kanë marrë lirim me kusht, kjo sipas Gërbovcit nuk ka qenë pengesë për trajtimin e tyre në ri-integrim.

“Për çështje të koordinimit apo aktiviteteve e trajnimeve, është përgjegjës divizioni , shumica e grave janë dënuar me lirim me kusht, shërbimi sprovues e ka mandatin e qasjes te to dhe me ta ka qenë bashkëpunimi shumë i mirë, dhe i koordinojmë aktivitetet tona që të jemi në një linjë të njëjtë.  Gratë kanë qenë në dijeni se çka i pret nga ana e drejtësisë, ato janë me familjet e tyre, ato s’janë në burgje nuk janë nda prej fëmijëve, ka qenë pozitive dhe një numër i madh i grave kanë filluar me marrë veten dhe kanë shprehur interesim me u integru në shoqëri dhe me vazhdu jetën prej ku janë, duke mos e menduar të kaluarën por duke ecur përpara”, tha në fund Gërbovci.

Me anë të projektit të JSRF, CDF ka qenë Organizata e cila ka ndihmuar në sigurimin e pajisjeve të rrobaqepësisë për gratë e rikthyera nga Siria e Iraku.

Për KALLXO.com, Drejtoresha Ekzekutive e CDF, Nermin Mahmuti ka treguar edhe për projektet dhe aktivitetet për gratë e rikthyera.

“CDF është duke përkrahur 12 gra me kursin e rrobaqepësisë. Kursi do të zgjas 3 muaj dhe aktualisht jemi në mesin e implementimit. CDF ka dhuruar makina qepjeje si dhe pako themelore për rrobaqepësi si vizore, gjilpëra, gërshërë, shkumës dhe shumë pajisje të tjera. Qëllimi i këtij aktiviteti është që gratë të zhvillojnë biznesin e tyre në të ardhmen dhe të gjenerojnë të ardhura. Deri më tani gratë janë shumë të interesuara dhe të përkushtuara për të mësuar për rrobaqepësinë”, ka thënë Mahmuti për KALLXO.com.

KALLXO.com në një seri shkrimesh dhe hulumtimesh ka treguar për trajtimin dhe aktivitetet për të rikthyerit nga luftërat e huaja në Siri e Irak.

Në prill të vitit 2019, Kosova riatdhesoi 110 persona nga Siria e Iraku.  Nga ky numër, ishin 74 fëmijë, 34 gra dhe 4 burra.

Aktualisht përveç, aktiviteteve për gratë e rikthyera, Divizioni për Parandalimin dhe Riintegrimin e personave të radikalizuar, kanë ndërmarrë edhe një sërë aktivitetesh për fëmijët e rikthyer.

Ditëve të fundit KALLXO.com, ka raportuar për aktivitetet e fundit të fëmijëve që janë duke u mbajtur duke respektuar masat e Qeverisë së Kosovës.