Ilustrim

Rrahja e Nxënëses, RrGGK Thërret Protestë

Aktivistet nga grupi Feminizmi Shqiptar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Grupi i Grave Asambleiste nga Komuna e Gjakovës si dhe individë e aktivistë/e nga shoqëria civile, kanë bërë thirrje për një protestë, që do të mbahet nesër nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër dhunës së ushtruar ndaj një vajze të mitur nga komuna e Rahovecit.

Sipas një kumtese të RrGGK-së, vajza është goditur me shqelma dhe është zvarritur pranë grilave të oborrit të shkollës së mesme “12 maji” nga xhaxhai i saj.

“Për ta bërë edhe më të rëndë këtë situatë, zyrtarët nga stacioni policor në Rahovec, u deklaruan se “dhënia e disa shuplakave vajzës e cila vetëm për muajin shtator ka bërë 41 mungesa në shkollë, nuk duhet ekzagjeruar deri në këtë masë”, ndërsa drejtori i shkollës ku vajza po vijonte mësimin dhe ku fare pranë ndodhi kjo ngjarje, u deklarua se shkolla nuk ka përgjegjësi të ndërhyjë në raportet familjare”, thekson komunikata.

“E gjithë kjo ka dëshmuar edhe një herë se në Kosovë dhuna në familje mbetet një prej shqetësimeve më të mëdha të shoqërisë sonë”, thekson RrGGK.

Në komunikatë, aktivistet kritikojnë edhe institucionet e arsimit, në këtë rast shkollën, e cila sipas tyre nuk ka treguar seriozitet duke mos mbajtur përgjegjësi për dhunën e ushtruar “nga një profesor”.

RrGGK thekson se personi që e rrahu vajzën e mitur është axha i saj, i cili është profesor në shkollën afër të cilës ndodhi incidenti.

Mirëpo, ky i fundit, Xh.B., në një postim në rrjetin “Facebook”, ka kritikuar mediat për keqinformim, duke theksuar se ai nuk ka qenë i involvuar në rrahje, por ka qenë vëllai i tij.

Xh.B. ka theksuar se në momentin e incidentit ai ka qenë brenda në shkollë dhe se një nxënëse ka shkuar e ka njoftuar se çfarë po ndodhte ngjitur me oborrin e shkollës.

“Përmes kësaj proteste kërkojmë ta ndalojmë dhunën dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë

me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime!”, thuhet në komunikatën e grupeve të aktivisteve.

“Dhuna nuk duhet të përdoret si formë edukimi apo disipline! Dhuna është krim! Ejani të protestojmë së bashku!”, thuhet në thirrjen për protestë.

http://kallxo.com/xhaxhai-rrah-mbesen-ne-oborr-te-shkolles/