Shpend Maxhuni - Foto: KALLXO.com

Rikthehet në punë polici që zbuloi rastin e djalit të Shpend Maxhunit

Afrim Karaxha, polici i cili ishte suspenduar para pesë muajve nën dyshimin se ka zbuluar rastin e Shpëtim Maxhunit, djalit të ish shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni është rikthyer në punë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se polici në fjalë është rikthyer në detyrën e tij para tri ditëve.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se zyrtari në fjalë, me rekomandim të Inspektoratit Policor ka qenë i suspenduar me masën e suspendimit të përkohshëm, përderisa tani po ashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor me datë 23.04.2019 i është ndërprerë masa e suspendimit të përkohshëm”, thuhet në përgjigjen e ZIMP.

Me 27 nëntor të vitit të kaluar, Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e zyrtarit policor Afrim Karaxha, nën dyshimin për rrjedhje informacioni konfidencial, gjegjësisht për njoftimin e mediave se djali i shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shpend Maxhuni është përfshirë në një rast penal.

KALLXO.com kishte kontaktuar me Inspektoratin Policor të Kosovës të cilët kanë deklaruar se ”në bazë të kompetencave ligjore për interes të hetimit penal, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor në fjalë me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” e paraparë me nenin 433 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

KALLXO.com ka raportuar për rastin e djalit të ish shefit të AKI-së, Shpëtim Maxhuni, i cili natën e 12 tetorit 2018 , u ndalua në fshatin Zllatar të Prishtinës.

Në një raport të gjatë të cilin policia e ka dërguar te prokurori e të cilin e kishte siguruar KALLXO.com ishin përshkruar momentet kur policia ka ndaluar makinën ku ndodhej Maxhuni dhe detajet se ku u zbulua arma e cila u konfiskua atë natë.

Në makinë, sipas policisë, po udhëtonin Shpëtim Maxhuni që është djali i Shpend Maxhunit, Selim Ramadani dhe Arlind Kosumi.

Raporti saktëson se policia e kishte ndaluar veturën Golf 4 dhe gjatë bastisjes në jaknën e djalit të Shpend Maxhunit kishte zbuluar revolen e tipit “Zastava” me katër fishekë.

Provat në lëndë saktësojnë se Maxhuni nuk ka mohuar se jakna është e tij dhe revolja ishte gjetur brenda saj. Ai kishte thënë në deklaratën në polici se revolja ishte e mikut të tij i cili e kishte harruar në makinë disa orë më parë.

Këtë deklaratë e kishte plotësuar edhe i dyshuari Rinor Maxhuni i cili kishte shkuar në polici ku kishte pranuar se revolja është e tij dhe se të njëjtën e kishte gjetur disa ditë më parë në parkun e Gërmisë nën një ulëse. Ai kishte pretenduar se revolja ishte një shkrepëse.

Asnjëri nuk kanë dhënë detaje para policisë se pse armën ilegale nuk e kishin raportuar në polici po kishin vendosur ta bartnin në makinë e në rrobat e tyre.

Djali i Shpend Maxhunit madje kishte rrëfyer në polici se revolen ilegale do t’ia kthente shokut të tij kur ai të kthehej prej dajallarëve. “Nuk e kam njoftuar për arsye që i njëjti më ka njoftuar se po shkon tek dajtë në Istog dhe e kam lënë që kur të kthehet t’ia jap”, kishte deklaruar Maxhuni në polici.

Kallëzimi penal është më i qartë sesa komunikata e policisë e lëshuar ditën kur u publikua lajmi për djalin e Maxhunit. Atëkohë komunikata kishte treguar që në veturën ku po lëviznin tre persona përfshirë të dyshuarin Shpëtim Maxhuni është gjetur një revole por pa e saktësuar se Shpëtim Maxhuni kishte pranuar se revolja ishte në jaknën e tij dhe ai kishte plan t’ia kthente mikut të tij.

 Droga në makinë

Detaje të tjera në kallëzim penal kanë përshkruar konfiskimin e materialeve të dyshimta si narkotikë dhe mjete që përdoren për të përpunuar marihuanën para konsumimit.

Një mulli për bluarjen e drogës, një thikë dhe një cigare e dyshuar për marihuanë ishin konfiskuar gjatë kontrollit të makinës Golf 4.

Gjithmonë sipas dëshmive që kishte siguruara nga KALLXO.com, djali i Maxhunit kishte pranuar se thika është e tij personale dhe se i ishte nevojitur “për ndonjë punë e për asgjë tjetër”.

Dosja e policisë pretendonte se në dyshemenë e prapme të veturës ishte zbuluar një cigare dhe një mulli për bluarjen e marihuanës.

Substanca, sipas kallëzimit penal, i përkiste Arlind Kosumit. Hetimi i kësaj çështjeje ishte bartur në njësinë e antidrogës.

Deklaratat

 Në dëshmitë që tre të dyshuarit, Shpëtim e Rinor Maxhuni dhe Arlind Kosumi kishin deponuar në polici dhe të cilat i kishte siguruar KALLXO.com thuhej se që të tre kanë pranuar veprat për të cilat i janë ngarkuar por kanë dhënë versione të ndryshme për motivet.

Djali i drejtorit të Inteligjencës Shpend Maxhuni, në polici kishte deklaruar se para orës 17 kishte qenë me njërin nga të dyshuarit Rinor Maxhuni dhe më pas ishin ndarë.

Rreth orës 21:00, djali i Maxhunit së bashku me dy shokë të tjerë kishin blerë gjëra ushqimore dhe kishin ndaluar në fshatin Zllatar për të ngrënë ushqim.

Ndërsa ngjarja e gjitha kishte filluar pasi policia kishte kontrolluar veturën e cilat dyshohet të jetë e babait të Shpend Maxhunit.

Shpëtim Maxhuni kishte deklaruar në polici se thika ishte e tij, ndërsa arma dhe cigarja me marihuanë ishin e shokëve të tij.

I dyshuari tjetër Selim Ramadani ishte pyetur nga policia në lidhje me armën e cila i ishte gjetur djalit të Shpend Maxhunit.

Në deklaratën e tij ai kishte thënë se arsyen e mbajtjes së armës nga Shpëtim Maxhuni nuk e dinte pasi që i njëjti nuk kishte probleme me askënd dhe se e njihte mirë të dyshuarin pasi që ishin rritur bashkë.

Ai ishte pyetur edhe për cigaren me marihuanë e cila ishte gjetur, por i dyshuari nuk kishte konfirmuar se dinte që cigarja gjendej në veturë së bashku me mullirin.

I dyshuari tjetër Rinor Maxhuni, kushëriri i djalit të Shpend Maxhunit, kishte deklaruar në polici se armën e cila ishte gjetur në veturën e djalit të Shpend Maxhunit e kishte gjetur në parkun e Gërmisë, saktësisht tek ulëset dhe se fillimisht kishte menduar se është një shkrepëse.

Kallëzimi penal për rastin ishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës 7 ditë pasi kishte ndodhur ngjarja ndërsa të gjitha deklaratat ishin marrë natën kur kishte ndodhur incidenti dhe më 15 tetor.