Marjan Dema, Rektor i UP-së

Rektori Flet për të Ardhmen në UP dhe të Kaluarën në Politikë

Rektori i sapozgjedhur i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema në intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” ka shpalosur programin e tij dhe planet për menaxhim me Universitetin e Prishtinës si dhe për lidhjen e tij në të kaluarën me politikën.

Dema është zotuar se me fillimin e punës si rektor do të vendos rregulla gjithëpërfshirëse në Universitetin e Prishtinës.

“Qëllimi im i parë do të jetë vënia e një sistemi funksional të ketë rregulla dhe norma në çdo fushë duke filluar prej zgjedhjes, pranimit, pra të jetë norma ajo që definon nëse kandidati do të fitojë një kërkesë të tij, pra jo rektori apo dekani”, tha Dema për “Jeta në Kosovë”.

Rektori i ri ka folur edhe për përfshirjen e tij në politikë si kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane ndërsa ka siguruar se tani nuk është i involvuar në asnjë parti politike

“Ka qenë një kërkesë, një presion i intelektualëve që ta marr kryesimin e PSHDK-së dhe kam qenë i bindur që Kosovës i duhet një PSHDK [Partia Shqiptare Demokristiane], më vonë kemi bërë koalicion me PDK-në por tani nuk jam aktiv në asnjë parti politike”, deklaroi Dema.

Marjan Dema që u zgjodh rektor i UP-së në konkursin e përsëritur por me shumicë të votave nga Këshilli Drejtues ka renditur për “Jeta në Kosovë” planet e tij kryesore për mandatin e tij 4 vjeçar në krye të UP-së.

“Tolerancë zero ndaj mosmbajtjes së mësimit, pra ora e mësimit do të mbahet. E dyta do të jetë avancimi i cilësisë, përshtatja e kurrikulave me nevoja të tregut dhe e treta do të jenë hulumtimet shkencore që është proces pak më i gjatë”, tha rektori i zgjedhur.

Ai ka adresuar edhe problemin e grumbullimit të diplomave për të cilën është raportuar në KALLXO.com dhe ka thënë se do të jetë i lumtur ti nënshkruajë mbi 600 diploma të grumbullura në mungesë të rektorit.

“Fillimisht sigurisht që do t’i kryej këto obligimet që kanë mbetur, janë mbledhur mbi 600 diploma”, tha Rektori i ri.

Universiteti Pa Rektor, Studentët Pa Diploma

Marjan Dema u zgjodh rektori i UP-së me 7 vota prej 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe për kundërkandidatë pati, Xhevat Berishën, Afrim Hamidin dhe Nuridin Destanin.

http://kallxo.com/ja-ne-fund-rektor-te-ri/