Bredhi në Pejë | Foto: KALLXO,com

Qytetarët e Pejës Dekorojnë Bredhin në Shesh për Vitin e Ri

Meqenëse qyteti i Pejës nuk është dekoruar për festat e fundvitit nga komuna, ai po dekorohet nga qytetarët.

Bredhi më i madh në qendrën e qytetit të Pejës po dekorohet me iniciativë dhe financim të qytetarëve për festat e fundvitit.

Vlora Nikçi, pronare e një biznesi në Rugovë të Pejës,tha për KALLXO.com se pasi kishte kuptuar se sivjet nuk do dekorohet qyteti i Pejës, ka marrë iniciativë vetëfinancuese për ta stolisur bredhin më të madh që gjendet në sheshin kryesor të qytetit.

“Unë para disa ditësh e kam parë në media që qyteti i Pejës nuk do dekorohet për fundvit, andaj ‘Fshati Turistik N’Mal’ që ndodhet në fshatin Reka e Aliagës në Rugovë që është biznes i familjes tonë ka marrë ketë iniciativë. Meqenëse biznesi jonë familjar ushtrohet në komunë të Pejës, politika e biznesit tonë nuk është vetëm të marrim nga kjo komunë, por edhe të japim diçka”,tha Nikçi për KALLXO.com.

Nikçi që njëherësh është edhe aktore, tha se biznesi i tyre familjar ka angazhuar një kompani për stolisjen e bredhit për festat e fundvitit, e sipas saj, kjo po bëhet me se shumti për fëmijët e këtij qyteti.

“Menjëherë jemi mobilizuar për ta dekoruar bredhin me të madh në qendër të qytetit të Pejës dhe kemi angazhuar një kompani ta dekorojë ketë bredh, që njëkohësisht është ndër bredhat me të mëdhenj në Kosovë që po stoliset. Kjo po bëhet vetëm për qytetarët e Pejës, e posaçërisht fëmijët për festat e fundvitit”,tha Nikçi.

KALLXO.com tri ditë me herët raportoi se Komuna e Pejës në mungesë të mjeteve buxhetore nuk do ta dekorojë me drita sivjet qendrën e qytetit për festat e fundvitit.

http://kallxo.com/mungon-buxheti-peja-nuk-dekorohet-per-vit-te-ri/

Mosdekorimi i Pejës për fundvit,ngjalli reagime të shumta nga shoqëria civile dhe qytetarët e kësaj komune.