QKUK largon nga puna punëtoren që dyshohet se mori 400 euro ryshfet

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka larguar nga puna punëtoren F.C. pas raportimit se u zu në flagrancë nga Policia e Kosovës me para të marra ryshfet.

“Pas raportimit për arrestimin e punëtores së lavatores në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, F.C, menaxhmenti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, bazuar në Ligjin e Punës, ka larguar përkohësisht atë nga puna”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Tutje thuhet se ShSKUK mbështet veprimin e Departamentit të Hetuesisë duke dënuar veprimin e bërë dhe siguruar qytetarët se nuk do të ketë vend për punëtorët që keqpërdorin detyrën zyrtare.

KALLXO.com ka raportuar sot se Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë një punëtore të Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, e cila dyshohet se i kishte kërkuar viktimës dhe nga ajo sot ka marrë ryshfet 400 euro për t’ia rregulluar disa dokumente mjekësore për përfitim të një pensioni si viktimë civile e luftës.

https://kallxo.com/arrestohet-per-ryshfet-punetorja-e-shskuk-se/

www.kallxo.com