Ilustrim: Pamje nga Arrestimi

Prokuroritë në Kosovë ngrenë 38 aktakuza, kryen edhe bastisje

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur 38 aktakuza kundër 43 personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës në Prishtinë– Departamenti Special kundër të pandehurit I.T.

Fjala është për ish-ministrin Ivan Teodosijeviq i cili sipas njoftimit, në cilësinë e ministrit në Qeverinë e Kosovës, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Prokuroria në Prishtinë gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit kujdestar ka ndaluar për 48 orë tre persona: K.M., pasi që i njëjti  dyshohet se ka kryer veprën penale -vjedhje e rëndë, H.B., me dyshimin se ka kryer veprën penale -uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme, si dhe personi me inicialet M.Gj., pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale – kanosja.

Po ashtu, kjo Prokurori ka bërë dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për personat me inicialet, E.H., pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale – dhunë në familje, si dhe një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për personat me inicialet, M.S., M.A., dhe D.G., pasi që të njëjtit dyshohen për shitblerje të narkotikëve.

Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria në Prishtinë ka ngritur tetë aktakuza kundër nëntë personave për vepra të ndryshme penale, dy aktakuza ndaj dy personave për vjedhje, tri aktakuza kundër katër personave për posedim të narkotikëve, një aktakuzë ndaj një personi për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare si dhe dy aktakuza të tjera kundër dy personave për sulm.

Prokuroria në Prizren ka ngritur një aktakuzë kundër një personi për  vjedhje.

Prokuroria e Pejës ka ngritur tri aktakuza, një për vjedhje të shërbimeve komunale ndaj një personi, një tjetër për përdorim të narkotikëve ndaj dy të pandehurve dhe një aktakuzë për posedim të narkotikëve ndaj dy personave.

Prokuroria në Gjilan ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për rrezikim të trafikut publik.

E njëjta Prokurori ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave në Gjykatën kompetente në Gjilan.

Njëra kërkesë është paraqitur ndaj një personi për shkak të veprës penale -dhunë në familje, ndërsa kërkesa tjetër është paraqitur ndaj një personi të mitur, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën – vrasje në tentativë.

Gjithashtu janë kryer edhe disa bastisje, si në Viti nën dyshimin se një person është përfshirë në veprën penale – armëmbajtje pa leje, ku bastisja është kryer në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, me ç ‘rast është gjetur një armë gjysmëautomatike pa fishekë, gjashtë gëzhoja të të njëjtës armë, si dhe një karikator i zbrazët.

Pas intervistimit, personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria në Gjilan ka ngritur gjithsej gjashtë aktakuza kundër shtatë personave: një aktakuzë për kanosje, një për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, një për posedim të narkotikëve, një kundër një personi për dëmtim të varrezave apo kufomave, një kundër dy personave për vjedhje dhe një aktakuzë për mashtrim.

Prokuroria në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një personi me inicialet B.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale -lëndim i lehtë trupor lidhur me veprën penale – dhuna në familje.

Prokuroria në Mitrovicë gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur 17 aktakuza kundër 18 personave. Dy aktakuza kundër dy personave për narkotik, pesë aktakuza kundër pesë personave për përdorim dhe posedim të armës, dy aktakuza ndaj dy personave për ngasje në gjendje të dehur, dy aktakuza ndaj dy personave për sulm, një aktakuzë për kanosje dhe armëmbajtje, një aktakuzë tjetër për përdorim të armës, një aktakuzë kundër dy personave për lëndim të lehtë trupor dhe një aktakuzë kundër një personi për – vjedhje e shërbimeve komunale.

Gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit kujdestar, Prokuroria në Ferizaj ka ndaluar një person të dyshuar me inicialet M.S., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale – vjedhje e rëndë.

E njëjta Prokurori ka ngritur dy aktakuza ndaj dy personave për asgjësim apo dëmtim të pasurisë dhe gjueti të kundërligjshme.