Prokurorët e Hagës Kundërshtojnë Dëshmitarin

Dëshmitari i mbrojtjes së Mlladiqit Dusan Pavloviq të martën përsëriti pretendimin se “të paktën 4000 deri në 5000” ushtarë të Ushtrisë së Bosnjës dhe civilë u vranë kur përpiqeshin të kalonin përmes radhëve të serbëve të Bosnjës dhe të largoheshin nga Srebrenica në korrik 1995, pavarësisht se prokuroria pretendon se dëshmia e tij bazohet në të dhëna të pasakta.

Gjatë ekzaminimit, prokurori vërejti se kishte pasaktësi në raportin e Pavloviqit, duke pretenduar se ai nuk citoi me saktësi deklaratat e dëshmitarëve rreth zhdukjes ose vrasjes së boshnjakëve që po përpiqeshin të çanin radhët serbe dhe të shkonin të sigurt në Tuzla pasi Srebrenica ra.

Pavloviq tha se mijëra boshnjakë u vranë “gjatë aktiviteteve të luftimit teksa përpiqeshin të çanin” radhët serbe.

Por prokurori citoi deklarata nga dëshmitarët që thanë se boshnjakët në fakt u kapën nga forcat serbe të Bosnjës dhe “vdiqën si viktima të ekzekutimeve masive”.

Pavloviq tha se ai e dinte se ekzistonin të tilla deklarata kur po përgatiste raportin e tij, por i mori ato për false.

Kur prokurori tha se supozimi i tij ishte i gabuar, Pavloviq u përgjigj se ai “nuk mund të thoshte se ishte 100 për qind i gabuar”.

“Nëse veprimet hetuese të gjykatës janë përfunduar dhe është përcaktuar se ata vdiqën kështu, nuk po e mohoj aspak,” tha Pavloviq.

Ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës, Mlladiq po gjykohet për gjenocid ndaj boshnjakëve të Srebrenicës. Ai është gjithashtu në gjyq për persekutim të joserbëve kudo në vend, terrorizim të popullatës së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.