Ndarja e kufijve sipas marrëveshjes së demarkacionit është ende e paqartë për publikun | Foto: përpunim mbi Google Maps

Presidenti e AAK me Qëndrime të Ndryshme për Demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbrojtur edhe sot marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por një parti opozitare në vend është duke qëndruar fuqimisht në kundërshtim të këtij dokumenti.

Gjatë një vizite që i bëri një fshati të Fushë Kosovës, kreu i shtetit tha se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë çështje të hapura mes vete, ndërsa u tregua optimist se marrëveshja për demarkacion, e nënshkruar në gusht të vitit të kaluar, do të ratifikohet në Kuvend.

Komentet e Thaçit erdhën dy ditë pasi ai kishte qëndruar në Mal të Zi, në kuadër të festimeve të 10 vjetorit të pavarësisë së këtij shteti.

Ratifikimi i demarkacionit është një nga kushtet që Komisioni Evropian ia ka vënë Kosovës për ta marrë liberalizimin e vizave dhe Thaçi po e përdor këtë kusht të Brukselit për t’i bërë thirrje opozitës të mos e kundërshtojë marrëveshjen kur ajo të vijë në rend dite në Kuvend.

“Askush me një agjendë ditore nuk mund të cenojë apo rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave, asnjë interes i adresave të caktuara politike nuk do të mund ta tejkalojë interesin madhor, më së pari vullnetin madhor të qytetarëve të Kosovës, interesin tonë të përbashkët dhe qëllimin tonë evropian për libralizimin e vizave. Pra, nuk ka çështje që mund ta sfidojë liberalizimin e vizave. Kosova i njeh obligimet e veta dhe këto çështje do të përmbyllen më kohë”, tha Thaçi.

Por Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka kundërshtuar më së shumti këtë marrëveshje, vazhdon të thotë se demarkacioni me Malin e Zi “është bërë keq dhe në dëm të Kosovës”.

“Ata që e kanë futur Kosovën në këtë telashe të madhe, duhet të japin përgjegjësi edhe para popullit edhe para ligjit”, tha AAK sot përmes një deklarate.

Sipas AAK-së, përpjekja e Qeverisë për ta shndërruar demarkacionin në pengesë për procesin e piberalizimit të vizave, është një tjetër gabim i rëndë i lidershipit institucional të Kosovës.

“Deklarimet e qeveritarëve se Demarkacioni mund të ratifikohet dhe më pastaj të korrigjohet, janë jo vetëm qëllimkëqija por edhe të rrezikshme”, thuhet në deklaratën e AAK-së.

AAK ka kërkuar nga Presidenti dhe qeveria që çështja e Demarkacionit të rihapet në Bruksel, në një raund bisedimesh me palën malazeze, në mënyrë që “të mënjanohen gabimet e bëra”.

“AAK-ja është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces, që për qëllim ka zgjidhjen e kësaj çështje kaq të ndjeshme. Çdo rrugë tjetër, mund të ketë pasoja afatgjate edhe për Kosovën edhe për Malin e Zi”, thuhet në deklaratën e AAK-së.