Foto-ilustrim
Policia: Nuk ka të Arrestuar Para Kishës
Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës Florie Ahmeti tha për KALLXO.com se forcat e rendit gjatë aksionit të organizatave studentore para kishës vetëm kanë vënë nën kontroll disa persona që nuk respektuan urdhrat.
“Nuk raportohet për persona të arrestuar nga ana e policisë, përveç vënies nën kontroll të disa prej pjesëmarrësve që kanë qenë jorespektues ndaj rekomandimeve të zyrtarëve policorë që kanë monitoruar protestën,” tha Ahmeti.
Aktivistët e Organizatës Lëvizja për Barazi-Studim, Veprim, Kritikë dhe organizatave tjera kishin për qëllim që në rrethojat e kishës së ndërtuar brenda kampusit universitar ta vendosin një pankartë që tregonte se ajo u ndërtua në kohën e regjimit të Millosheviqit.
Florie Ahmeti thotë se policia ua lejoi të tubuarve vendosjen e pankartës, por kjo nuk i ndaloi ata që ta shtyjnë kordonin policor.
“Edhe pse policia u ka mundësuar që 3-4 protestues të vazhdojnë ta vendosin pankartën, megjithatë protestuesit tjerë mbrapa tyre e kane shtyrë kordonin e policisë me qëllim që të hyjnë në oborrin e kishës,” sqaron Ahmeti.
Ajo bën me dije se gjatë këtyre fërkimeve një pjesëtar i policisë është lënduar.
“Përgjatë këtyre veprimeve protestuesit kanë lënduar një zyrtar policor i cili aktualisht është duke marrë trajtimin mjekësor në QKUK,” tha Ahmeti.
Aksioni i organizatave studentore sipas Ahmetit përfundoi në orën 14:00.
KALLXO.com shkroi për këtë aksion para kishës brenda hapësirës së UP-së.
http://kallxo.com/aksioni-i-studenteve-para-kishes/