Policia e Kosovës gjatë një aksioni - Foto: KALLXO.com

Policia Jep Detaje për Sulmin me Mjete Shpërthyese në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me sulmet me mjete shpërthyese të kryera kundër pronave të dy pjesëtarëve të FSK-së në Zubin Potok.

Sipas Policisë, sot rreth orës 02;00, në Zubin Potok, në dy shtëpi private, në dy lokacione të ndara, janë regjistruar dy shpërthime me mjete eksploduese.

“Dëme materiale të konsiderueshme janë konsideruar në tri vetura private dhe dy shtëpitë e viktimave, banorë të komunës Zubin Potok, të punësuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës – Veri.

Sipas Policisë, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Njësitë policore menjëherë pas rastit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore me qëllim të kontrollit më të detajuar të vendit të ngjarjes dhe lokacioneve përreth si dhe me qëllim të identifikimit të kryesve të mundshëm lidhur me rastin e raportuar, thuhet më tej në njoftim.

“Veç njësive të rregullta policore, hetuesit rajonalë së bashku me teknikët e forenzikës dhe njësitë e specializuara për identifikim të mjeteve eksploduese, kanë bërë shikimin e detajuar të vendit të ngjarjes, ndërsa kanë konfirmuar se bëhet fjalë për përdorim të mjeteve eksploduese, granatë dore, si dhe përdorim të mjetit ndezës të lëngshëm (me përmbajtje derivate nafte)”, thuhet po ashtu në këtë njoftim.

Prokurori i shtetit është informuar lidhur me detajet e rastit dhe veprimet e ndërmarra, ndërsa ka urdhëruar inicim të rastit si vepër penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Deri më tani, nuk ka persona të raportuar të arrestuar ndërsa Policia e Kosovës është në kërkim të vazhdueshëm të mbledhjes së informatave të mundshme si dhe të arrestimit të personave të dyshuar.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të posedojnë ndonjë informacion të nevojshëm ta njoftojnë atë me qëllim të zbardhjes së këtij akti kriminal dhe krijimit të një ambienti të sigurt për të gjithë.

Sulmin kundër shtëpive të pjesëtarëve të FSK-së e ka dënuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.