Policia e Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com

Policia e Kosovës ndalon dëshmitarin në rastin e vëllait të ministrit shqiptar

Mediat në Shqipëri kanë raportuar sot gjatë ditës se në territorin e Republikës së Kosovës është arrestuar Albert Veliu, i njohur si dëshmitari X në rastin e hetimit të vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka ndaluar dy shtetas të Shqipërisë por nuk ka përmendur emrat e tyre.

“Mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës bazuar në autorizimet ligjore me datën 27.05.2018, ka ndaluar dy shtetas të Republikës së Shqipërisë. Të ndaluarit janë trajtuar sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

Mediat në Shqipëri kanë shkruar sot gjatë ditës se të arrestuarit janë, Albert Veliu, i njohur si dëshmitari X dhe djali i tij.

Sipas mediave të Shqipërisë, Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, është dënuar në Itali me vendim gjyqësor të formës së prerë në Itali për trafikim droge.