Pllaka përkujtimore për dy policët e vrarë, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj, e zbuluar në nëntor 2016 | Foto: KALLXO.com

Pllakë Përkujtimore për Sabahate Tolajn e Isuf Haklajn

Në Raushiq të Pejës u zbulua sot pllaka përkujtimore për policët Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj në vendin ku ata u qëlluan me armë më 24 nëntor 2003.

Gazmendi, djali i policit të vrarë Isuf Haklaj, kur foli për KALLXO.com shfaqi pakënaqësi në lidhje me zbardhjen e vrasjes së dy policëve.

“Asnjë pikë s’jemi të kënaqur,” tha Gazmend Haklaj, duke shfaqur dyshime se edhe persona tjerë janë të involvuar në këtë vrasje, ndërsa nuk kanë dalë para drejtësisë.

Për vrasjen e Tolajt dhe Haklajt me 27 vjet burg është dënuar Bedri Krasniqi.

Para dy ditësh kur u bënë 13 vjet nga vdekja e Tolajt dhe Haklajt, njësoj si sot Gazmendi, foli për KALLXO.com edhe Demë Tolaj, babai i Sabahates.

“Gjykimi ka fillu, nifarë gjykimi, u dënu ni djalë, Bedri Krasniqi i Turjakës, po aty ka pasë edhe të tjerë, nuk u konë sall ai i vetëm. E ai nuk i ka zbulue ata hiç, nuk i ka tregue kush jonë konë,” tha Demë Tolaj më 24 nëntor.

http://kallxo.com/deme-tolaj-vrasja-e-sabahates-nuk-eshte-zbardhur-krejtesisht/

I pranishëm në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore për dy policët ishte edhe Bajram Gecaj, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Gecaj tha për KALLXO.com se nuk është i kënaqur  me ndriçimin e vrasjeve të ndodhura pas luftës.

“Nuk jemi të kënaqur fare, jo veç me ketë rast, po edhe me shumë raste tjera. Janë shumë vrasje politike që kanë ndodhur pas luftës të cilat nuk janë zbardhë. Megjithatë. i mbetet gjyqësorit që këto raste të bëhet çmos të zbardhën,” tha Gecaj.

Zëvendësministri tregoi se Isuf Haklajn e kishte të afërm, ndërsa duke e lidhur vrasjen e tij dhe të koleges Tolaj me ndriçimin e vrasjeve tjera, foli për bissedën e fundit që e kishte me policin e vrarë.

“Këta dy nuk janë vra për probleme të tyre personale por për mbrojtjen e institucioneve të Kosovës. Isuf Haklajn e kam pasur tezak,ne e kemi pasur një babagjysh. Isuf Haklaj me ka thirrë 10 ditë para se mu vra dhe me ka thënë: ‘Bajram e kam pru vrasjen e Tahir Zemajt në tre individë, njëri prej tyre 100 për qind është vrasësi,” rrëfeu Gecaj.

kurora

Në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri policët e vrarë i vlerësoi si kërkues të së vërtetës.

“Përkujtuam sot dy luftëtarë, dy pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës të vrarë në krye të detyrës, njerëz që janë munduar të ndërtojnë Kosovë e lirë dhe njerëz që kanë dashur të vërtetën dhe kanë shërbyer si model edhe për të tjerët se si duhet punuar për ndërtimin e shtetit,” tha Muhaxheri.

Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj para se të ishin pjesë e policisë, luftuan edhe në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për luftën e ish-luftëtarëve dhe policëve foli Rrustem Berisha, komandanti i Brigadës 138 “Aqgim Ramadani”.

“Unë sikur shumë bashkëluftëtarë tanë, jam krenar që në momentet me të vështira në periudhën e luftës  kam pasur fatin t’i kem bashkëluftëtarë Isuf Haklajn dhe Sabahate Tolajn. Vetë suksesi i Koshares, lufta dhe beteja e Koshares është e lidhur drejtpërdrejt me kontributin e këtyre dy bashkëluftëtarëve, Sabahates dhe Isufit,” tha Berisha.

Pllakën përkujtimore në vendin e vrasjes e financuan familjarë të dy policëve. Ish-komandanti Berisha tha se financimi më së paku u ka takuar familjarëve.