Zbulohet pllaka përkujtimore në nderim të 106 të vrarëve në Masakrën e Pastaselit

Në prezencë të familjarëve të të vrarëve në Masakrën e Pastaselit është bërë sot zbulimi i pllakës përkujtimore në kujtim të tyre.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook.

“Bashkë me Tahir Krasniqin, Beqir Krasniqin dhe Shaqir Xhemën, të mbijetuar të Masakrës së Pastaselit, zbuluam pllakën përkujtimore në kujtim të të vrarëve, viktima të gjenocidit të Serbisë”- ka shkruar Kurti.

Kurti ka thënë se në Pastasel të Rahovecit 24 vite më parë, janë vrarë dhe masakruar 106 shqiptarë të paarmatosur.

“Në Pastasel të Rahovecit, më 31 mars 1999, policia serbe vrau dhe masakroi 106 shqiptarë të paarmatosur. Para se t’i pushkatojnë, i kishin rrahur e troturuar, e pas vrasjes, i kishin masakruar kufomat. Gjashtë prej tyre janë ende të zhdukur. Blerimin, Binakun, Zaimin e Armendin, që të katërtit të moshës së mitur, i vranë në sy të prindërve të tyre”- është shprehur Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se me familjarët e të vrarëve, në vendin ku forcat serbe kryen masakrën e Pastaselit, “sot shenjuam historinë”.

“Me familjarët e të vrarëve, me dhe brezat e rinj të lirisë, pikërisht në vendin ku forcat serbe kryen masakrën e Pastaselit 24 vite më parë, sot shenjuam historinë”- shkruan Kurti.

Sipas kryeministrit, vazhdimësia e traditës së përkujtimit është garanci e lidhjes së fortë mes kujtimeve nga një brez në tjetrin.