Mjegull në plazh - Foto: Rtv21
Plazhi Mbulohet nga Mjegulla, Mbi 100 të Helmuar
Më shumë se 100 persona janë pranuar në spital, pas një incidenti kimik në brigjet e Sussex-it Lindor në Britani, kanë njoftuar mediat britanike.
Plazhi u evakuua pasi që shumë pushues u ankuan për vështirësi në frymëmarrje, iritim të syve dhe vjellje, pasi që plazhi u mbulua nga një mjegull, e cila erdhi nga deti, shkruan rtv21.tv.
Shërbimet për situata emergjente ia tërhoqën vërejtjen banorëve përgjatë plazhit të Sussex-it Lindor që mos të dalin nga shtëpitë e tyre, pasi që mjegulla kimike mbuloi pushuesit në plazh.
Policia njoftoi se mjegulla me përmbajtje të panjohur kishte ardhur nga deti, ndërsa shërbimi i zjarrfikësve e cilësoi këtë si një incident kimik, por se ende nuk dihet se si është formuar mjegulla.
Megjithatë, ekipet shpëtimtare theksuan se gjasat janë të vogla që mjegulla të ketë përmbajtur klor.
Dëshmitarët rrëfyen se në një moment kanë ndier iritim të syve dhe se shumë njerëz filluan të ikin në panik nga plazhi. /21Media