Foto: Lutfi Haziri/Facebook

Përmbyllet Festivali ‘Flaka e Janarit’ në Gjilan

Dje është përmbyllur edicioni i sivjetmë i manifestimit të festivalit për muzikën popullore “Flaka e Janarit”.

Në hapjen e këtij festivali kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka theksuar se sivjet ky manifestim është mbajtur në nderim të kryeheroit shqiptar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe në 50 vjetorin e kryengritjes për flamurin e Gjergjit.

“U bënë gati tri dekada që ky manifestim në Gjilan në janarin e ftohtë shënon gjithë këtë aktivitet multikulturor në shenjë nderimi për dëshmorët. Edhe  në ato kohë të vështira ne ndryshe kemi nderuar dëshmorët edhe në liri po vazhdojmë t’i nderojmë ndryshe nga të tjerët”, ka thënë Haziri.

Ai rikujtoi fillimin e manifestimit në Përlepnicë, duke theksuar se Shtëpia e Kulturës atje do të shpallet shtëpi muze, për nder të Flakës së Janarit dhe aktiviteteve, e cila u vazhdua në Mejtepin e Bresalcit në Galeri Restorantin “Apollonia” që në atë kohë ka qenë për festival e këto objekte do të trajtohen në mënyrë shtetërore.

Në këtë festival me mirënjohjen Post Mortum është nderuar Abdylhakim Ismaili, që ishte sponsor kryesor i këngës popullore dhe festivalit.

Vendin e tretë në këtë festival e ka fituar  Besa Krasniqi, vendin e dytë Greta Azizi dhe vendi i parë për Urim Salihun me këngën “Unë biri yt Kosovë”.

Në kuadër të këtij festivali u organizua edhe një aktivitet letrar fituese e të cilit ishte Entela Kasi me poezinë e saj “Nëse bota është e egër, Anja…”.