Zaev: Gruevski u Pajtua për Amnistinë e të Dyshuarve për Krime Lufte

Opozita pretendoi se bisedat e përgjuara zbulojnë lidhjen direkte të kryeministrit në një marrëveshje politike për të bërë amnisti për të dyshuarit në katër çështje të krimeve të luftës nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni.

Social Demokratët në opozitë prezantuan të hënën përgjimet e fshehta që ata thanë se provonin që kryeministri Nikola Gruevski personalisht ra dakord për një amnisti në katër raste krimesh lufte të lidhura me akuzat për mizori të kryera nga shqiptarët etnikë.

Lideri i social Demokratëve Zoran Zaev tha se Gruevski kishte bërë marrëveshje si pjesë e negociatave për krijimin e një qeverie të re me një parti shqiptare, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, pas zgjedhjeve në 2011.

“Kjo do të çjerrë maskën e preferuar të Gruevskit, atë të patriotizmit,” tha Zaev në një konferencë për shtyp, të 18-n e opozitës në javët e fundit mbi përgjimin qeveritar.

Bisedat e përgjuara synojnë të zbulojnë se si Gruevski i pranon koleges së partisë së tij, deputetes Silvana Boneva, se ai sapo ka pranuar një amnisti për katër çështjet me liderin e BDI, Ali Ahmeti dhe më pas e udhëzon atë se mocioni duhet të votohet në parlament ‘brenda një jave’ përpara formimit të një qeverie të re.

“Zgjedh të merrem me këtë tani. Ne duhet të merremi me gjërat negative tani,” dëgjohet t’i thotë Gruevski Bonevës, duke shtuar se çdo deklaratë e partisë mbi amnistinë duhet të maskohet që të tingëllojë neutrale dhe të mos dëmtojë imazhin e tij si një patriot.

Katër çështjet datojnë nga konflikti i armatosur i 2001 mes forcave maqedonase të sigurisë dhe kryengritësve shqiptarë, liderët e të cilëve formuan më pas partinë BDI.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë (ICTY) mori juridiksionin për pesë çështjet e krimeve të luftës nga Maqedonia në 2002, një vit pas konfliktit, por riktheu një aktakuzë për vetëm njërën.

Katër të tjerat iu kthyen Maqedonisë në 2008 dhe zyra e prokurorit fillimisht tha se do t’i rishqyrtonte.

Por në një lëvizje të debatueshme, koalicioni qeverisës i drejtuar nga partia VMRO DPMNE e Gruevskit votoi në korrik 2011 braktisjen e katër çështjeve për krime lufte. Në atë kohë, Gruevski këmbënguli se ai nuk kishte të bënte me vendimin dhe se nuk ishte pjesë e një marrëveshje politike me BDI që t’i bashkohej qeverisë së tij.

Përgjimet e tjera duket se zbulojnë se ministrja e brendshme Gordana Jankuloska, ndonëse pavullnet, vepron si një nga lojtaret kryesore në përpjekjen për të kaluar amnistinë shpejt në parlament.

Në një bisedë, këshilltarja e Gruevskit, Biljana Briskovksa dëgjohet se informon Jankuloska se rekomandimet nga Komiteti i OKB Kundër Torturës ‘e përjashtojnë amnistinë’ nga katër çështjet dhe se Tribunali i Hagës ka rekomanduar që ato të ndiqen nga gjykatat vendase. Por Jankuloska jep udhëzimet se ky fakt është fshehur në tekstin e paqartë që përvijon opinionin e qeverisë mbi subjektin.

“Lëre parlamentin ta bëjë, ata e dinë se çfarë të bëjnë dhe lëri ta bëjnë. Por nuk duhet të vij prej nesh,” thotë zëri që mendohet të jetë i Jankuloskës.

Përgjime të mëtejshme shfaqin Gruevskin teksa i jep instruksione se deputetët dhe ministrat e VMRO DPMNE që janë ende formalisht deputetë duhet të shfaqet urgjent për mbledhjen parlamentare që të ketë një kuorum për amnistinë që është shumë e papëlqyer për shumicën maqedonase.

Ato gjithashtu zbulojnë Jankuloskën dhe ministrin e financës Zoran Stavreski teksa pranojnë se kanë bërë justifikime false për të mos u shfaqur në mbledhjen parlamentare, pavarësisht se ishin nën presion për t’u paraqitur dhe votuar.

Të dy shfaqen teksa shprehin pakënaqësinë që detyrohen të votojnë, ndërsa disa prej kolegëve të tyre, përfshirë Gruevskin, janë ndoshta jashtë vendit.

“[Zv. Kryeministri Vladimir] Pesevski është 100 për qind diku në plazh në Greqi,” thotë zëri që dyshohet të jetë i Stavreskit, të cilit Jankuloska i përgjigjet: “E njëjta gjë vlen edhe për shefin [Gruevskin].”

Zaev filloi të publikonte përgjimet e pretenduara të bisedave të figurave qeverisëse në shkurt.

Ai pretendon se Gruevski dhe kushëriri i tij, shefi i policisë sekrete Saso Mijalkov, kanë orkestruar mbikëqyrjen e paligjshme të rreth 20,000 njerëzve dhe këmbëngul se materiali vjen nga burime brenda shërbimeve sekrete maqedonase.

Por Gruevski ka këmbëngulur se përgjimet janë krijuar nga ‘shërbime sekrete të huaja’ në bashkëpunim me opozitën për të destabilizuar vendin.

Në një nga drejtimet e tij të fundit te mbështetësit, Gruevski e akuzoi Zaevin për ‘tradhti të lartë’.

Partia VMRO DPMNE e Gruevskit tha të hënën se përgjimet në lidhje me çështjet për krimet e luftës nuk ishin të vërteta dhe se pretendimet e Zaevit ishin të pavërteta.

“Zoran Zaev vazhdon të manipulojë duke përdorur materiale false të vëna në një kontekst që i përshtatet atij në mënyrë që të krijojë konfuzion mes qytetarëve,” tha partia në një deklaratë.

“Me këto konferenca për shtyp, ai vetëm sa konfirmon që përgjimi është bërë nga të huaj nën patronazhin e qendrave të huaja. Roli i tij është të jetë një mjet i qendrave të huaja që kanë si synim të shkatërrojnë stabilitetin e Maqedonisë dhe të dëmtojë reputacionin e saj ndërkombëtar,” thuhej në të.