Vetëdorëzohet pasi Dyshohet se Vrau Vëllanë për Probleme Pronësie

Një 66 vjeçar është dorëzuar në polici, pasi dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij 11 vjet më të ri.

Ngjarja e rëndë sipas policisë ka ndodhur në fshatin Kuqicë të Skenderajt pasditen e vonshme të ditës së djeshme.

Policia bën me dije se kur bashkë me ekipin mjekësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të kësaj komune kishin dalë në vend të ngjarjes, kishin gjetur trupin pa shenja jete të një 55 vjeçari.

“Nga hetimet e para të nisura nga hetuesit policorë bëhet e ditur se si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit të cilën e kishte përdorur i dyshuari, njëherësh vëllai i viktimës, viktima kishte mbetur pa shenja jete,” thuhet në komunikatën e Policisë së Skendarajt.

Kjo polici njofton se pasi ishin vënë në kërkim të të dyshuarit ai është vetëdorëzuar.

“Policia ishte vënë në kërkim të të dyshuarit, ku disa orë më vonë i dyshuari i moshës rreth 66 vjeçar është vetëdorëzuar në polici ku edhe ka sjellë një armë të gjatë AK 47, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast,” vijon komunikata.

Sipas policisë incidentit “dyshohet t’i  ketë paraprirë një mosmarrëveshje për çështje pronësie rreth një rruge ndërmjet të dyshuarit dhe viktimës”.

Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për autopsi, ndërsa të vetëdorëzuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.