Veseli: Nuk më Vjen Turp të Kërkoj Ndihmë

Në tryezën që e thirri vetë dhe ku u diskutua për bllokadën në Kuvend Kadri Veseli tha se nuk i vjen turp të kërkojë ndihmë

“Në realitetin tonë në Kosovë, kem qef shume më hypë nëpër karrriga e me marrë pozicione. Edhe unë në momentin që kam marrë këtë pozicion e kam ditë që kam me pas sfida. Mu nuk më vjen turp me kërku ndihmë, e unë meqë është fillimi i javës ju kam thirr juve, nuk kam shku te ambasadat e huaja,” tha kryeparlamentari Veseli

12:17

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve po diskutojnë në një tryezë të organizuar nga kryeparlamentari Veseli rreth bllokadës së Kuvendit.

Tryeza politike me temën “Bllokada në Kuvend si pretekst marrëveshjet e nënshkruara më Serbinë dhe Demarkacioni,” po mbahet pa përfaqësues të opozitës.

Tri partitë opozitare “Vetëvendosje” AAK-ja dhe Nisma që dy javë kanë bllokuar punën e Kuvendit, duke kërkuar nga kryeministri Mustafa tërheqjen e nënshkrimit të tij nga 4 marrëveshjet e Brukselit me Serbinë të arritura më 25 gusht.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli në tryezë, bllokadën e cilësoi cenim të kushtetutës.

“Ne kemi kushtetutën, ligjet dhe rregulloren e kuvendit mbi të cilën funksionojmë. Veprimet e opozitës janë në kundërshtim me to. Kjo veç cenueshmërisë së kushtetutës dhe te tjerave, po sjell konsekuenca tjera. Po u rrezikohet edhe zhvillimeve ekonomike,” tha Veseli.

KALLXO.com shkroi të premten për ligjet që mund të mos miratohen për shkak të bllokadës.

Publicisti dhe drejtuesi i “Klan Kosovës”, Baton Haxhiu tha se Kuvendi nuk është institucioni që duhet të bllokohet.

“Fajësia e nënshkrimit nuk i takon kuvendit i cili në fillim ka ratifikuar nënshkrimin e marrëveshjeve. Ai nuk është nënshkrues i marrëveshjes, meqë nuk është nënshkrues, nuk është edhe institucioni që duhet të bllokohet,” tha Haxhiu.

Edhe Ismet Kryeziu nga KDI-ja, organizata që monitoron Kuvendin, foli kundër bllokimit.

“Ne si monitorues mendojmë që kuvendi nuk mund të bllokohet. Duhet të kemi një ndërhyrje me një debat ndërpartiak me partitë politike. Kjo vjen si mungesë dialogu që qeveria nuk e ka bo me opozitën,” tha Kryeziu.

Edhe Baton Haxhiu ua la fajin partive politike.

“Fakti që jemi ktu tregon që partitë politike nuk të janë të afta ta gjejnë veten në ndërtimin ndërinstitucional,” shtoi Haxhiu.

Ai deklaroi se tërheqja e nënshkrimit [nga marrëveshjet e Brukselit] aq sa është joreale është absurde.

Se nuk do ta tërheqë nënshkrimin tha edhe kryeministri Mustafa të premten.

Edhe Behxhet Shala nga KMDLNj-ja kërkoi dialog.

“Nuk duhet përdorur dhuna. Duhet dialog, jo debat,” tha Shala.

Shala përmendi si zgjidhje takimet te presidentja të përfaqësuesve të partive politike.

Analisti Nexhmedin Spahiu bllokadën e opozitës e lidh me injorimin që sipas tij po i bëhet asaj në dialogun e Brukselit me Serbinë.

“Kur janë bërë bisedimet e Vjenës është formu Grupi i Unitetit dhe është përfaqësu edhe opozita. Tani po zhvillohen bisedime në Bruksel, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin. Çka mendoj qe e ka pru opozitën në këtë gjendje është injorimi i opozitës në këto bisedime,” tha Nexhmedin Spahiu.

Berat Buzhala bllokadën e konsideron betejë personale.

“Klasa politike në vend pozitë e opozitë ka kohë qe janë ndarë nga qytetarët. Loja po luhet pa shikues. Kjo është betejë personale,” tha Buzhala.

Ndërsa përfaqësuesi i OSBE-së Peter Welli8ng, bllokadën në Kuvend e konsideroi si situatë që nuk e bën askënd të lumtur.