Twitter dhe Facebook e Sfidojnë Vendimin e Gjykatës së Turqisë

Twitter dhe Facebook janë zotuar se do ta luftojnë ndalimin e Turqisë që shkurtimisht bllokoi qasjen në faqet e mediave sociale të kësaj jave, një goditje për të cilën kritikët thanë se është një dëshmi e mëtejme e autoritarizmit në rritje të Ankarasë, raporton Reuters.

Vetëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, Turqia ngriti pesë herë më shumë kërkesa për heqjen e materialeve nga Twitter se çdo vend tjetër, tregojnë të dhënat.

Twitter dhe rrjeti i videove YouTube ishin të paarritshme për orë të tëra të hënën, pasi një gjykatë turke urdhëroi heqjen e imazheve të prokurorit që u mbajt në shënjestër nga militantët e ekstremit të majtë.

Facebook ishte i pari që u pajtua me urdhrin e gjykatës, dhe shmangu ndalimin. Përfaqësuesit e Twitter dhe Facebook thanë se do të apelojnë këtë vendim.

Google, që zotëron YouTube-n, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

“Ligjet janë duke u përdorur si armë nga autoritetet,” tha Mehmet Ali Koksal, një avokat i specializuar në rastet e IT-së. “Qeveria thotë se” unë do t’ju mbyll në qoftë se ju nuk hiqni këtë dhe këtë. Nëse kjo do të ishte midis dy njerëzve do të quhej shantazh.”

Një zëdhënës i Erdogan tha të hënën se një prokuror ka kërkuar ndalimin për shkak se disa media kanë vepruar “sikur të shpërndanin propagandën terroriste” duke shpërndarë imazhet e marrjes peng të prokurorit.

Prokurori Mehmet Selim Kiraz u vra në një shkëmbim zjarri ndërmjet pengmarrësve dhe policisë javën e kaluar.