Tre Dëshmitarë në Gjykimin e Bankierëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdoi sot gjykimi ndaj tetë të akuzuarve për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme.

Dëshminë e dhanë Besare Maqastena, Qazim Tmava, Avdullah Zhugolli.

Besare Maqastena ekonomiste e diplomuar dhe punonjëse në Bankën “BpB” kur u pyet se a kishte marrë kredi një kompani, bëri me dije se personalisht ishte marrë me kredi në shuma të vogla.

“Nuk më kujtohet se a ka marrë kredi firma Dukagjini dhe unë kryesisht jam marrë me kredi të vogla,” tha Maqastena.

Prokurori e pyeti dëshmitaren se a ka qenë pjesë e komisionit për vlerësimin e kolateralit të firmës Dukagjini.

“Unë nuk di asgjë në lidhje me këtë firmë,” iu përgjigj Maqastena prokurorit.

Kryetarja e trupit gjykues e pyeti dëshmitaren për kompaninë “Marashi Oil’. Dëshmitarja tha se nuk di asgjë për të.

Bajram Tmava, avokati i Nazmi Mustafës e pyeti dëshmitaren se si ajo e ka kuptuar që edhe anëtarët e Bordit të BpB-së kanë marrë kredi.

Besare Maqastena tregoi se këtë gjë e ka marrë vesh nga thashethemet.

Dëshmitarja shumicës së pyetjeve në seancë iu përgjigj me fjalët “nuk e di”, ose “nuk më kujtohet”.

Pas Maqastenës dëshmoi Qazim Tmava që tha se është profesor në Kolegjin “Globus”, ndërsa më parë ishte pjesë e Bankës “BpB”.

Tmava shpjegoi se si shkonte puna kur vinin kërkesa për kredi me shuma të mëdha.

“Për shqyrtimin dhe analizimin e kërkesave të kredive të mëdha çështja ka shkuar deri te bordi i bankës,” tha Tmava.

Avokati Osman Mehmeti, përfaqësues i palës së dëmtuar pyeti dëshmitarin se kush e ka bërë kontrollimin e bankave për menaxhimin e kredive.

Dëshmitari u përgjigj se ka qenë  auditori i brendshëm dhe i jashtëm.

Si dëshmitarja Maqastena, edhe dëshmitari Tmava, tha se nuk mund të deklarohet për kreditë në shuma të mëdha, pasi nuk ishte kompetent për to.

I treti në këtë seancë dëshmoi ekonomisti Avdullah Zhugolli që tha se deklarata e tij në prokurori mund të ketë gabime, pasi gjatë dhënies së saj ai kishte ndjerë frikë.

Dëshmitari mohoi se kishte presion nga prokurori gjatë dhënies së dëshmisë së tij, ndërsa pranoi se nënshkrimi në këtë deklaratë ishte i tij, kur ky nënshkrim iu dha për t’u shikuar.

Dëshmitari Zhugolli në gjykatore tha se më parë e kishte një biznes me emrin “Qëndresa”, ndërsa tregoi se kishte marrë një kredi prej 350 mijë eurove me propozimin e dajës së tij Ismet Brajshori.

Brajshori është njëri nga të akuzuarit e këtij procesi.

Dëshmitari Avdullah Zhugolli tha se nga kredia e marrë në Bankën “BpB” nuk kishte pasur edhe shumë përfitim, ndërsa këtë kredi e kishte kthyer së bashku me dajën e tij Ismet Brajshorin.

Zhugulli tha se për këtë kredi nuk kishte garantues dhe nuk kishe lënë në hipotekë asgjë.

Pasi Zhugolli e përfundoi dëshminë, prokurori bëri me dije se do të paraqesë kallëzim penal për këtë dëshmitar, ngase sipas prokurorit dëshmia e sotme e Zhugollit në gjykatë nuk përputhet me atë që kishte dhënë në prokurori.

Në këtë proces gjyqësor për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme akuzohen Nazmi Mustafa, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka, Serafedin Zhitia, Zylfi Arifaj dhe Pashk Bala.

Seanca e radhës u caktua më 21 prill.