Temperaturat e Larta Rrisin Numrin e Pacientëve në QKUK

Moshat mesatare dhe ato të shtyra, të cilat kanë probleme me sistemin kardiovaskular po kërkojnë ndihmë në numër të madh në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Kështu tha për KALLXO.com doktoresha Dafina Basholli specialiste e mjekësisë emergjente.

“Në këtë kohë kaq të nxehtë unë iu preferoj shumicës së popullatës që të kenë kujdes të mos dalin në këto kohë të nxehta kështu që preferohet që të mënjanojnë daljet në teren”, tha dr. Basholli.

Por për ata që është domosdoshmëri dalja jashtë, dr. Basholli thotë të përdoren kapelat e bardha ose ombrellat, të konsumohen lëngjet dhe të evitohen ushqimet me yndyrë.

Doktoresha thotë se edhe ata që i ekspozohen diellit drejtpërdrejtë për shkak të punës së tyre po kërkojnë në numër të madh ndihmë në QKUK.

“Edhe numri i aksidenteve është shtuar dukshëm, numri i punëtorëve që punojnë në ndërtimtari lëndimet e tyre janë shtuar dukshëm për shkak të temperaturave të larta si goditje nga dielli neve na vijnë si trauma” tha Basholli.

Basholli udhëzon popullatën që të ketë kujdes dhe të mos ekspozohet në diell.

Meteorologët parashikojnë se gjithë javës do të ketë temperatura të larta.