Të Çarat e Sistemit të Drejtësisë

Situata në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë do të vazhdojë të jetë problematike përderisa në gjykatat e vendit tolerohen shkelje teknike, të cilat, edhe pse janë të evitueshme, po dëshmojnë mungesë gatishmërie për veprime konkrete drejt përmirësimit të situatës së gjithmbarshme, thuhet në raportin vjetor të monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.

Krerët e institucioneve të drejtësisë, për të cilët në fakt rrah ky tupan (raport), pajtohen me të gjeturat e tij.

Madje atë e shohin si udhërrëfyes në punën e tyre, të cilin do të duhej ta lexonin të gjithë, me theks të veçantë ata që marrin vesh në sistemin e drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përpos vlerësimit pozitiv për raportin e monitorimit, ai rekomandoi që të lexohet prej secilit që i takon kësaj fushe.

“Raporti si tërësi duhet të lexohet prej secilit prej nesh, në veçanti me kompetencat për fushat që i kemi”, tha Kuçi.

Furtuna Sheremeti, autore e raportit, gjatë paraqitjes së të gjeturave tha se ka ende shkelje teknike nëpër gjykatat e Kosovës.

“Seancat gjyqësore akoma mbahen në zyrat e gjykatësve. Arsyet për këtë janë të shumta. Jo gjithmonë janë fajet e gjykatësve. Ka edhe arsye të ndryshme si mungesa e ngrohjes ndonjëherë”, tha ajo.

Raporti Monitorimit të Gjykatave 2014 nga BIRN-i dhe Internews Kosova përfshin të gjeturat nga monitoruesit në 26 gjykata të vendit nga më shumë se 500 seanca gjyqësore të mbajtura gjatë vitit 2014 në gjykatat Themelore, Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme.

Drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, tha se ambienti i punës së monitoruesve  ka qenë jo aq miqësor, i cili vit pas viti ka lëvizur për të mirë.

“Këto dy vitet e fundit më shumë ne jemi fokusuar në seanca me rëndësi të veçanta që trajtojnë raste me interes për publikun, raste që kanë impakt në ndërtimin e shoqërisë në Kosovë”, tha Xharra.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Enver Peci tha se duhet një reformim në Gjykata.

“Gjyqtarët i kanë tejkaluar normat e punës. Është problematika që duhet të rritet numri i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Është situatë e vështirë të sjellim gjyqtarë me kritere dhe profesionalizëm që i kërkon sistemi”, deklaroi Peci.

Ai tha se marrëveshja me BIRN-in për monitorim të gjykatave ka pasur efekte pozitive.

Laura Pula nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se sistemi i drejtësisë mbetet sfidë dhe mision për të gjithë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Samuel Zhbogar, si njëri ndër mbështetësit e këtij projekti, tha se kjo po bëhet vetëm me qëllim që të promovohet transparenca e sundimi të ligjit në Kosovë.

“Zërat kritikë, mendimet analizuese dhe shkrimet e artikuluara janë mjetet esenciale për ndryshime reale”, vlerëson Zhbogar.

Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, tha se sa më shumë monitorim aq më mirë është për sistemin e drejtësisë.

Ndërsa Aleksandër Lumezi, i zgjedhuri nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për kryeprokuror të shtetit, por në pritje të emërimit nga Presidentja e Kosovës, foli për zgjedhjen e Florent Muçajt si anëtar i këtij trupi.

“Në Këshillim Prokurorial të Kosovës e kemi pasur një monitorues i cili nuk e ka kryer punën e vet siç është dashur ta kryejë, sepse i ka përfaqësuar vetëm interesat e një grupi të caktuar brenda sistemit prokurorial të Kosovës”, tha Lumezi.

Besim Kelmendi nga Prokuroria Speciale dha një propozim për emërimin  dhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës.

“Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë të ndryshojnë ligjet aktuale që kanë të bëjnë me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës që të funksionalizohet pavarësia e sistemit gjyqësor të Kosovës”, propozoi Kelmendi.

Ministri Kuçi tha se shumica e anëtarëve të KGJK-së duhet të emërohen nga vetë gjyqësori. Ai tha se duhet të ketë norma për shkarkimin e anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së.

“Një sistem është i zoti kur mundet me i zgjedh problemet vetë”, vlerësoi ministri Kuçi.

Kurse për Valdete Dakën nga Gjykata Supreme, KGJK-ja dhe KPK janë anashkaluar.

Disa nga rekomandimet për të pranishmit i dha në fund Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu.

Ndër të tjera, raporti rekomandon që prokurorët të familjarizohen më shumë me lëndët të cilat i përfaqësojnë, që të rritet numri i gjyqtarëve, të bëhet digjitalizimi i gjykatave,  si dhe që EULEX t’i angazhojë më shumë prokurorët vendorë në rastet të cilat janë në duar të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë.