Të Akuzuarit për Trafikim me Migrantë Pranojnë Fajësinë

Deda dhe Mustafa akuzohen se në periudhën kohore në mes të 21 tetorit 2011 dhe 5 prillit 2012 kanë organizuar dhe drejtuar veprat penale të krimit të organizuar, trafikimit me persona dhe kontrabandimin me migrantë, për qëllimin e përfitimit financiar.

Për veprën penale të kontrabandimit me migranët në Kodin Penal të Kosovës  parashihet dënimi me gjobë deri në 500 mijë euro si dhe dënimi më burg prej shtatë deri në njëzet vjet.

Prokurori  i  rastit e njoftoj kryetarin e trupit gjykues se ka nënshkruar me të akuzuarit një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Sipas kësaj marrëveshjeje do të hidhet poshtë akuza për  krim të organizuar, ndërsa do të mbesin në fuqi akuzat për trafikim me njerëz dhe kontrabandim me migrantë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, të akuzuarit në bazë të marrëveshjes u deklaruan të pafajshëm lidhur me pikën e akuzës për krim të organizuar, ndërsa pranuan fajësinë për pikën e akuzës,  kontrabandim me migrantë.

Gjyqtari i çështjes  njoftoi palët se do të analizojë marrëveshjen në mes të prokurorit dhe të akuzuarve dhe se një vendim lidhur me pranimin ose jo të kësaj marrëveshjeje do të merret në seancën e ardhshme që do të mbahet më 16 korrik 2014.

Gjithashtu avokatët mbrojtës kërkuan zbutjen e masave të sigurisë për të pandehurit.

Të akuzuarit momentalisht janë në arrest shtëpiak dhe gjykata ua ka marrë edhe dokumentet e udhëtimit, ndërsa avokatët kërkuan që kjo të zëvendësohet me masën e paraqitjes së përditshme në stacionin policor.