Sindikalistët e RTK-së Rrëfehen Para Komisionit Parlamentar për Media

Përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së të mërkurën janë rrëfyer para anëtarëve të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për problemet dhe largimet në televizionin publik.

Përfaqësuesit e kësaj sindikate thanë se problemet që po hasen në RTK janë mungesa e transparencës  së financave, borxhet e mëdha që ka RTK-ja, punësimi e mbi 300 personave brenda një viti, largimi nga puna e dy nga punëtorëve të këtij mediumi, mungesa e kushteve si dhe presioni brenda televizionit publik.

Kryetari i kësaj sindikate Fadil Hoxha, i larguar nga puna dy javë më parë, tha se RTK-ja është duke u degraduar çdo ditë dhe sipas tij kjo po vërehet në katër vitet e fundit.

“Gjendja në RTK për fat të keq po degradon çdo ditë e më shumë e kjo sidomos është e shprehur 4-5 vitet e fundit. Në çdo aspekt në çdo fushë kemi degradim të situatës. Po dalim në rrafshin financiar, nuk ka transparencë në asnjë aspekt. RTK-ja është e mbyllur për mënyrën se si i menaxhon financat”, tha Hoxha.

Ai u shpreh se transmetuesi publik është zhytur në borxhe të mëdha financiare.

“RTK-ja është zhytur në borxhe dhe obligime të mëdha financiare për shkak të lidhjes së kontratave me furnitorët e jashtëm, me producentët e pavarur pa u respektuar Ligjet e RTK-së, pa u respektuar Ligji i Financave Publike por edhe pa u respektuar Ligji i Punës”, tha Hoxha.

Kryetari i sindikatës përmendi edhe largimin e tij nga puna duke thënë se nga vendimi i menaxhmentit te televizionit publik, ai dhe Arsim Halili u vlerësuan persona të rrezikshëm.

Ndërsa Arsim Halili, nënkryetari i Sindikatës dhe i larguar me vendim nga puna foli për kushtet e televizionit publik duke thënë se RTK 4 zhvillon punën në baraka dhe hyrjen për në këtë medium e bën nga dera e toaletit.

Halili dha edhe kritika për punësimin e punëtorëve në RTK për çka tha se vetëm për një vit janë punësuar mbi 300 punëtorë ndërsa tha se 60 për qind e buxhetit të RTK-së shkon për paga dhe mëditje.

Ndërsa Shkumbin Ahmetxhakaj redaktor në RTK tha se brenda këtij mediumi ka presione dhe ndërhyrje të politikave të shprehura përmes individëve.

“Në qoftë se unë si redaktor i ditës më pamundësohet ta bëj edicionin qysh e planifikoj në fillim që vijnë ndërhyrje çfarëdo qoftë që thirren në emër të politikanëve atëherë nuk e di qysh ne mundemi me heshtë”, tha Ahmetgjekaj.

Pas gjitha këtyre, deputetët e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media dhanë sugjerime që sindikata të bëjë sa më shumë në evidentimin e parregullsive dhe  problemeve brenda RTK-së duke pasur dëshmi dhe fakte.