Shkelësit e Ligjit të Duhanit Janë Dënuar me 38 Mijë Euro

Deri tani moszbatuesit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë janë dënuar me 38 mijë e 250 euro.

Kjo e dhënë doli nga tryeza e organizuar prej Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) në bashkëpunim Ministrinë e Shëndetësisë.

Arben Lila nga kjo qendër tha se më së shumti dënime për ata që kanë lejuar konsumimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike janë shqiptuar në Prishtinë, Prizren dhe Lipjan.

Ligji për Kontrollin e Duhanit hyri në fuqi në maj të vitit 2013, ndërsa në atë muaj emisioni Jeta në Kosovë gjeti se ai nuk po zbatohej si duhet.

Në tryezën e KADC-së, Faik Hoti, koordinator kombëtar për kontrollimin e duhanit tregoi punët që kreu Ministria e Shëndetësisë rreth ligjit antiduhan.

“ Mjediset pa tym duhani dhe vendosja e shenjave për ndalimin e duhanit në hapësirat e mbyllura, vendosja e fotografive dekurajuese në pakot e duhanit dhe kushtet për lejimin e konsumimit të duhanit në disa hapësira të cilat i ka paraparë ligji. Janë këto tri aktet nënligjore të cilat Ministria e Shëndetësisë ka qenë e obliguar t’i nxjerrë,” tha Faik Hoti.

Skender Syla, nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë tregoi pasojat globale dhe kosovare nga konsumimi i duhanit.

“Në bazë të statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), vlerësohet se 6 milionë njerëz vdesin në vit si pasojë e konsumimit të duhanit, mbi 5 milionë e tyre janë konsumues të rregullt, kurse 600 mijë individë për shkak të tymosjes pasive. Kurse, në Kosovë kemi 1500-2000 persona në vit që vdesin si pasojë e konsumimit të duhanit,” tha Syla.

Ilirjana Zymberaj, drejtore e Inspektoratit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës tregoi rezultatet e inspektimeve të zbatimit të ligjit antiduhan.

“Inspektorati Sanitar në vitin 2015 ka bërë 990 inspektime, kanë qenë mbi 280 fletëparaqitje, dënime mandatore kanë qenë mbi 35,” tha ajo.

Zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit që ndalon pirjen e cigareve në hapësira të mbyllura publike e monitorojnë disa inspektorate të ministrive të ndryshme.