Sami Kurteshi Përfundon në Emergjencë, në Ditën e Dytë si Anëtar i VV-së

Anëtari më i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dikur Avokat i Popullit, pas manifestimit të opozitës ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi ka marrë lëndime trupore.

Pas trajtimit mjekësor, Kurteshi tha për KALLXO.com se ndihet mirë.

“Mirë po ndihem, kurrë më mirë”, tha Kurteshi për KALLXO.com.

Kurteshi shtoi se ka bërë thirrje tek protestuesit që të mos gjuajnë, dhe ai shpjegon se në momentin që kanë bërë një lloj kordoni, policët kanë ndërhyrë me shkopinj gome.

“Unë hiq nuk u lëndova por ata kanë hy me shkelma, me pendrekë…”, shtoi ai.

“E përgjakën festën. Janë 30 mijë, 20 mijë, 40 mijë manifestues. Kaloi më së miri që është e mundur dhe këta i kanë vendosë vetes qëllim me e përgjakë”, deklaroi Kurteshi.

Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Shyhrete Kurteshi, tha se nuk ndihet mirë pas lëndimit të bashkëshortit të saj duke u shprehur se pushteti po dëshiron ta shtyp popullin për qëllime të veta.

“Kjo po shihet se është një shtet policor se manifestimi ka qenë shumë në rregull. Kjo që ka ngjarë me Samiun dhe shumë tjerë ka qenë pasi është kryer manifestimi. Ne kemi qenë në rrugë dhe kjo nuk do koment që pushteti donë me shtyp këtë popull për qëllime të veta”, tha Shyhrete Kurteshi për KALLXO.com.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, tha se gjendja e të lënduarave në protestë është jashtë rrezikut për jetë.

“I lënduari i parë bëhet fjalë për një lëndim sipërfaqësor të kokës është duke u trajtuar në Qendrën Emergjente dhe pas trajtimit diagnostiko-laboratorik, radiologjik dhe shërbime të tjera konsultative pritet të lirohet në shtëpi. Ndërsa i treti bëhet fjalë për ndrydhje trupore i cili është në diagnostiko mjekësore, me trajtim mjekësor dhe pas shërbimeve plotësuese pritet të lirohet në shtëpi”, deklaroi Lenjani.

Përveç ish avokatit të popullit, Sami Kurteshi në QKUK gjenden deri më tash edhe tre të lënduar të tjerë, të cilët po marrin trajtim mjekësor.