Putini i Rusisë nuk është “Millosheviqi i Ri”

Prill 28, 2014 – Gjuha e përdorur në lidhje me ndërhyrjen ruse në Ukrainë është tmerrësisht disproporcionale dhe një fyerje për viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi.

Tony Blairi nuk ka punë të lehtë pas thirrjes së tij që vendet perëndimore të ngadalësojnë kundërshtimet e tyre për Rusinë dhe Kinën.

Kur foli të mërkurën për kompaninë e mediale “Bloomberg” në Londër, ish – kryeministri britanik dhe kreu i Partisë Laburiste tha se mosmarrëveshjet me Moskën  për Ukrainën  dhe me Kinën, nuk duhet t’i bëhen pengesë rrugës së formimit të një fronti të përbashkët kundër ekstremizmit islamik.

Pa asnjë befasi fjalët e Blair-it u përcollën me tallje të përgjithshme në mediet britanike, shumë prej të cilave kanë cituar ekspertë që i janë përgjigjur vetë Blairit se ai ka vepruar si një rreshter rekrutimi për fanatikët myslimanë, si rezultat i mbështetjes së tij për pushtimin katastrofik të udhëhequr nga ShBA-ja në Irak. Kurse, disa në fund e kanë quajtur edhe si kriminel lufte. Fundi i tregimit, me sa duket.

Por është për të ardhur keq në qoftë se thirrja e tij për një marrëdhënie më pak antagoniste me Moskën nuk çon askund, si një përgjigje e Britanisë së Madhe ndaj krizës në Ukrainë, e cila për aq sa mediat janë të shqetësuara, është një shtrembërim dhe e njëanshme.

Tani për javë të tëra, mediat dhe politikanët së bashku janë pozicionuar nga larg kundër Vladimir Putin-it, duke e krahasuar atë me Hitlerin, Stalinin ose Sllobodan Millosheviqin. Zgjidh vetë. Është e habitshme që ata nuk e kanë përfshirë edhe Xhingiz Khanin.

Bisedat e pavlera nuk kufizohen në tabloidet e parëndësishme. Ballina e revistës së matur “The Economist” javën e kaluar e kishte një artikull të titulluar ” I pangopuri”. Ky nuk ishte një njoftim për një film të tmerrshëm, për një amerikan të çmendur dhe me çrregullim në ngrënie. Por ishte një referencë për ariun e lig rus që përshkruhej duke e gëlltitur hartën e Ukrainës.

Ndërkohë një artikull kryesor në të përditshmen “The Evening Standard” javën e kaluar jo për herë të parë fajësoi të gjithë separatistët banditë për problemet në Ukrainën Lindore. Në një analizë të shquar të “Review of Books” e bërë në Londër nga një ekspert për Rusinë, ai pyetet nëse Putini ishte një “Millosheviq i ri”, (përgjigjja natyrisht është: po).

Asgjë e pafavorshme, mund të thotë dikush. Britanikët, veçanërisht anglezët, janë një komb luftëtar që duan një armik të mirë që mund të shërbejë si tabelë për qitje, dhe tani Rusia ashtu siç bëri për pjesën më të madhe të shekujve XIX dhe XX plotëson kushtin.

Duke kultivuar njëlloj pikëpamje të brishtë dhe anatemuese për të gjitha gjërat, rusët shërbejnë si model për t’ua kujtuar të majtëve dhe të djathëve anglezë që grinden, se pajtohen për disa gjëra.

Se a është kjo e drejtë është çështje tjetër. Sa është e moralshme t’i quash plakat e moshuara me shami dhe veteranët e thinjur të Luftës së Dytë Botërore, disa prej tyre sigurisht në të tetëdhjetat “banditë seperatistë” për shembull, nëse fotografitë lidhen me diçka.

Aaneksimi rus i Krimesë, qartësisht është i paligjshëm dhe oportunist, duke pasur parasysh dobësinë e Ukrainës, por a është ky një tregues i “pangopësisë”? Një sulm ndaj Gjermanisë ose në Indi, të themi, do të tregonte që Rusia është e pangopur. Por Krimeja?

Sugjerimi i shumicës së kësaj retorike, se Putin-i ka prirje skëterrore për rivendosjen e Bashkimit Sovjetik, mbështetet në një kuptim të pazakonshëm të historisë. Bashkimi Sovjetik me kampet e vdekjes dhe gulagët famëkeq mbahet mend për një gjë.

Regjimi sovjetik nuk ka qenë i interesuar për të ndukur pjesë tokash që kufizoheshin me ish-BRSS-në. Qëllimi ishte dominimi botëror. Stalini do të kishte konsideruar interesimin e regjimit të Putinit për vendet si Abkazia ose Krimeja si një shaka, në krahasim me planin e tij të madh.

Sa për krahasimet e planeve të Putinit me të Millosheviqit edhe ato duken si produkt i cektësisë së të menduarit (të menduarit prej dembelësh). Nëse Putin është Millosheviqi i ri në përmasa më të mëdha, atëherë atij iu desh shumë kohë për të treguar “ngjyrat e tij”.

Millosheviq, si Hitleri, vepronte në terren. Hitlerit iu deshën tre vjet për të marshuar në Rhineland në vitin 1936, një vend nëpër rrjedhën e lumit Rajna në të cilin ushtria gjermane e kishte të ndaluar të hynte me marrëveshjet pas Luftës së Parë Botërore. Millosheviqit gjithashtu iu deshën rreth tre vjet për të hequr autonominë e Kosovës dhe për të filluar luftën me Kroacinë.

Gjithashtu Millosheviqi nuk ishte një irredentist, ashtu siç duket të jetë Putini. Interesimi i tij i vërtetë për serbët jashtë Serbisë ka qenë minimal, duke u  ilustruar nga fakti se ai e vizitoi popullin “e tij” në Kroaci vetëm një herë, në udhëtim njëditor në Glina të Kroacisë gjatë vitit 1992.

Për Millosheviqin, ankesat e serbëve  të Kroacisë dhe Bosnjës ( atyre që quhen “preçani”, pasi jetojnë jashtë Serbisë e Malit të Zi në anën tjetër të Danubit)  shërbyen vetëm si një shkas drejt gjërave më të mëdha, me qëllimin e krijimit të një shteti të serbëve në një pjesë të madhe të ish-Jugosllavisë, pavarësisht asaj se sa serbë jetonin aty.

Përqindja e atëhershme e serbëve në zonën e caktuar për absorbim nuk ka ndikuar aspak në llogaritjet e Beogradit, pasi banorët pa fat Srebrenicës, Zvornikut, Vukovarit, Dërnish-it dhe shumë qyteteve tjera duhej të nxirreshin jashtë.

Ia vlen të kujtohet se këta banorë nuk u detyruan të jetojnë në regjimin serb. Ky nuk ishte krimi. Krimi ishte se ata u vranë, ose u dëbuan. Dhjetëra mijëra ishin zhdukur në këtë mënyrë, ndërsa qindra mijëra të tjerë humbën çdo gjë që kishin.

Të krahasosh të gjitha ato masakra që dogjën të gjitha këto fshatra dhe lanë një grumbull të kufomave të gjuajtura si plehra në gryka dhe lumenj, me atë që ka ndodhur në Krime, me atë që mund të ndodhë në Donetsk, jo vetëm që është e pamundur, por kjo është pothuajse një fyerje për viktimat e Millosheviqit.

Kur “banditët separatistë” të Ukrainës Lindore të djegin fshatra, shkatërrojnë kisha dhe të detyrojnë largimin e qindra-mijëra njerëzve për ta shpëtuar jetën, Putin-i me të drejtë do të quhet “Millosheviqi i ri”, “Stalini i ri”- ose do të krahasohet me këta të dy. Deri atëherë, nuk duhet të përdoret një gjuhë e tillë.