Pa Ujë Dhe Kanalizim, Fshati Volljakë i Klinës si në Mesjetë

Fshati Volljakë i Komunës së Klinës përballet me një gjendje shumë të vështirë sa i takon qasjes në ujë dhe kanalizimit, çka paraqet një situatë mesjetare sa i takon kësaj infrastrukture.

Banorët janë munduar ta evitojnë me hapjen e bunarëve, mirëpo as ky veprim nuk është zgjidhja e problemit sepse, përveç tjerash uji i bunarëve ka edhe probleme tjera.

“Nuk ka mjaftueshëm ujë, nuk ka për pastrim…. edhe ata pak ujë që është [në bunarë] për pije nuk është i pastër. Unë një gjë po të tregoj, sot më së largu i kam dërguar dy fëmije të djalit të mjeku si pasojë e këtyre gripave, dhe çdo kush e din që gripat e sëmundjet vinë si rezultat i pa pastërtisë”

Berisha, thekson se ujësjellësi i cili furnizonte me ketë fshat me ujë, që dy vjet është jo funksional.

I kontaktuar nga Kallxo.com, Halil Berisha, menaxher i Njësisë Operative në Klinë nga kompania rajonale “Hidro Drini”, përmes telefonit tha se është i informuar se fshati Volljakë ka probleme me furnizim me ujë. Ai shtoi se problemit është drejt zgjidhjes.

“Kompania “Hidro Drini”, është në dijeni për problemet me furnizim me ujë në fshatin në fjalë. Mirëpo banorët e këtij fshati janë më fat, pasi që ky fshat ka fituar një projekt i cili është i financuar nga qeveria e Kosovës në bashkëpunim me qeverinë Zvicerane dhe CEFTA-an, për rehabilitimin e ujësjellësit të këtij fshati. Ky projekt pritet të fillojë punimet në fund të këtij muaji”, tha Berisha.

Gjendjen në këto fshatra e rëndon edhe problemi në rrjetin të kanalizimit. Kjo  gjendje ndikon direkt në pronat dhe shëndetin e banorëve.

Brahim Berisha thotë se kjo ndotje po ndikon në cilësinë e ushqimit që përdor bagëtia. Ai tha se komuna nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

“Ato [bagëtia] e pinë ketë ujë, e tash merre me mend se sa i shëndoshë është ai qumësht që pinë këso ujërash. A pe sheh¬? Kjo koment nuk ka bre”, tha ai.

“Le të thotë tani sa të dojë kryetari i komunës, se e ka zgjedhur problemin e ujërave të zeza në fshatin Volljakë”, tha ai.

Gjokë Lleshaj, Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Klinë, në lidhje me derdhjen e ujërave të zeza në pronat e këtij fshati, deklaron se drejtoria në fjalë nuk ka pranuar asnjë ankesë për këtë, dhe fajin për këtë e kanë banorët, që nuk e mirëmbajnë:

“Në vitin e kaluar në një pjesë të gjatë në Volljakë, afër puseve qe i themi ne, është bërë riparimi i kanalizimit komplet i ri, por të them të drejtën qytetaret nuk e kanë asnjë fije kontrolli që ta mirëmbajnë apo ta ruajnë pak. Jam dëshmitar që kam qenë edhe vetë në vendin e ngjarjes, ku kemi pa edhe me banorët, se çka kemi hekur nëpër ato puseta (bunare)… e kam fjalën duke hedhur gjithçka”, tha Lleshaj.

Në anën tjetër, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fadil Destani, thekson se LVV-ja i ka ngritur këto probleme, mirëpo sipas tij komuna e ka anashkaluar këtë fshat duke mos e përfshirë as në periudhën afatmesme të planifikimit buxhetor 2015-2018.

“Dokumenti qe kemi ne [Korniza buxhetore 2015-18] nuk parasheh rivitalizimin e ujësjellësit në zgjidhjen e problemit përfundimtar të kanalizimit të këtij fshati”, tha Destani.

Deri në reagimin e organeve komunale, arat e këtij fshati do të vazhdojnë të ujiten me ujëra të kanalizimeve, dhe uji për pije do të nxirret nga bunarët ndotur.