Opozita e Gatshme për Protestën e 18 Prillit

“Kapja e shtetit” është arsyeja që i ka bërë bashkë sot tri subjektet opozitare, të cilat i kanë planifikuar kërkesat e tyre kryesore për protestën e 18 prillit për “çkapjen” e tij.

Kundërshtimi i çmimit të lartë të energjisë elektrike, dorëheqja e Enver Hasanit nga Gjykata Kushtetuese, largimi i PDK-së dhe i pushtetit nga Radio Televizioni i Kosovës si dhe mos lejimi i krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë katër kërkesat kryesore për të cilat opozita e ngre zërin.

Visar Ymeri, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është e rëndësishme që qytetarët t’i bashkohen kësaj proteste e cila ka për qëllim që institucionet e Republikës së Kosovës t’i kthejë kah interesi i qytetarëve e jo nga duart e pushtetit.

Ai tha se do të insistojnë në plotësimin e këtyre kërkesave.

“Katër temat e protestës janë kundërshtimi i çmimit të lartë të energjisë elektrike, kapja që i është bërë sistemit juridik në Kosovë, më saktësisht gjyqësorit në Kosovë e cila i ka dy dimensione kryesore njëra anë ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës përmes Hajredin Kuçit në pengimin e funksionalizimit të këtij sistemi të drejtësisë. Në anën tjetër me uzurpimin që ia ka bërë Enver Hasani Gjykatës Kushtetuese. Çështja tjetër ka të bëjë me Radio Televizionin e Kosovës edhe me kapjen që partitë në pushtet e veçanërisht PDK-ia ka bërë këtij Televizioni Publik dhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kanë përparuar përgatitjet për protestën e 18 prillit.

“Aleanca e merr shumë seriozisht obligimin e vet për përgatitjen e protestës. Ne mendojmë që kjo është një detyrë e jona për ta lehtësuar zërin qytetar që të protestojë për proceset dhe temat që janë kaq të ndjeshme në Kosovë. Kapja e shtetit, shkalla e lartë e korrupsionit, një çmim shumë i lartë i energjisë në vend, një kapje mediumit publik, një situatë e rëndë në Gjykatën Kushtetuese, janë tema që na preokupojnë”, u shpreh ai.

Kurse kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se pret që më 18 prill të zhvillohet protestë sa më masive me pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Në këtë rast jemi tri partitë e opozitës organizatore, duke i ftuar edhe organizatat e ndryshme, shoqërinë civile, njerëzit që kanë arsye dhe motive të jenë të pakënaqur me zhvillimet në vend”, ka thënë Limaj.

Të tri subjektet opozitare kanë ftuar të gjithë qytetarët që janë të interesuar për të ngritur zërin, që të bëhen pjesë e protestës.