Nis Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Shkup, Kontrata Premtohet të Bëhet Publike

Ministri i infrastrukturës Fehmi Mujota dhe përfaqësuesit e Bechtel & Enka kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup. Punimet fillojnë me 3 korrik. Kontrata ka vlerën prej afër 600 milionë euro. Qeveria thotë se ky është çmim fiks dhe se do të bëhet transparente për publikun.

Në hapësirat e ministrisë së infrastrukturës, sot qeveria e Kosovës dhe konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”, nënshkruan kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, e gjatë rreth 60 kilometra.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota tha se qeveria ka nisur realizimin e këtij projekti që nga qershor 2012, pasi që ishte menduar në vitin 2008 nga Kuvendi i Republikës si projekt prioritar dhe strategjik për infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Autostrada që njihet si Rruga 6 do ti kushtojë vendit 599,944,263.54 euro dhe punimet do të fillojnë nga 3 korriku, e enjte.

Bechtel&Enka ka ndërtuar autostradën e parë Morinë-Merdarë të cilët i arriti çmimi afër në një miliardë euro.

Për këtë të dytën, ministria e Infrastrukturës thotë se çmimi do të jetë fiks.

“Ministria e Infrastrukturës bën të ditur sot se Projekti i Autostradës “Prishtinë-Hani i Elezit” do të realizohet bazuar në standardet ndërkombëtare TEM (Trans European Motorway Standards) dhe ka një çmim fiks (Lump Sum) prej 599,944,263.54 Euro. Kjo është kontrata më e mirë dhe më e favorshme e arritur në rajon”, thuhet në kumtesën për shtyp të ministrisë.

Ndër të tjera, ministria hap dyert me 8 korrik për të interesuarit nga publiku dhe qytetarët e Kosovës për të parë dhe lexuar kontratën e nënshkruar.

Kjo vjen pasi që Qeveria e Kosovës ishte kritikuar shumë për mos paraqitjen në publik të kontratës për autostradën Morinë-Merdarë.