Në Rastin Sekiraqa Dëshmon Shpend Qerimi

Ish-hetuesi policor Shpend Qerimi do të dëshmojë sot në rastin Sekiraqa.

Qerimi, sikurse ish-polici Besnik Hasani që dëshmoi në këtë proces gjyqësor gjatë ditëve të fundit të majit dhe më 1 qershor, është i dënuar me 25 vjet burg për shpërthimin te lokali “Sekiraqa” në vitin 2007.

Shpërthimi që vrau dy persona dhe plagosi shumë të tjerë ndodhi pas vrasjes së ish-policit Triumf Riza.

Sekiraqa në procesin gjyqësor kundër tij akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, por edhe për detyrim dhe dhunim.

Paralelisht me rastin Sekiraqa ku Enver Sekiraqa është i akuzuar, po ndodh edhe procesi për shpërthimin te lokali i tij, ku ky person është palë e dëmtuar.

Në rastin e shpërthimit, Shpend Qerimi dëshmoi në shtator dhe tetor të vitit të kaluar.