Në Gjakovë Hapet Qendra Shumëfunksionale e Bizneseve

Qendra Multifunksionale e Bizneseve që ka për qëllim bashkëpunimin mes ndërmarrësve të rajonit perëndimor të Kosovës është hapur të enjten në “Çarshinë e Madhe të Gjakovës.

Projekti i kësaj qendreje është implementuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim, ndërsa shumica e parave për këtë qendër janë dhënë nga Bashkimi Evropian.

“Tërë ky projekt që finalizohet me hapjen e kësaj qendreje arrin vlerën në 519,732.00 euro, prej së cilës Bashkimi Evropian ka ndarë 405,394.00 euro, ndërsa Komuna e Gjakovës 114,342.00 euro,” tha Destan Krasniqi nga Qendra Kosovare për Zhvillim.

Dardan Sadriu, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë theksoi se ky është një projekt që ofron shumë për këtë rajon dhe forcon bashkëpunimin e bizneseve.

“Zyra e BE-së në Kosovë mbetet e përkushtuar që të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe hapja e kësaj qendre është një pikënisje për menaxhim të suksesshëm dhe funksionalizim të saj,” tha Sadriu.

Qendra është pajisur me teknologji informative dhe me infrastrukturë përcjellëse.

Në hapjen e qendrës foli edhe Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Gjakovës.

“Duke qenë se ndodhemi përballë sfidave të rënda të ndryshme sociale dhe ekonomike, ky është edhe një hap konkret për komunitetin e biznesit dhe i mundësive të krijimit të ideve të reja,” tha Salihu.