Mustafa: Beteja e Koshares Ishte Sinjal për Fitore

“Beteja e Koshares i bëri forcat pushtuese të kuptojnë se luftën e kishin humbur”. Vlerësim të tillë dha Kryeministri Isa Mustafa gjatë ceremonisë përkujtimore të 16-vjetorit të Betejës së Koshares.

“Heqja me luftë e kufirit me Shqipërinë me 9 prill të vitit 1999 nga Brigada 138 “Agim Ramadani” shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës çlirimtare të Kosovës”, tha Mustafa.

Kjo, sipas Kryeministrit, ka shënuar hapjen e rrugës për furnizim me armatim dhe mbështetje logjistike në shumë zona të Kosovës, duke shënuar kështu fundin e sundimit serb në Kosovë.

Ai premtoi se do ta përmbyllë kompleksin memorial të Betejës së Koshares, e cila në këtë ceremoni ishte kërkesa e vetme e familjarëve të Agim Ramadanit, si shenjë nderimi për të rënët e kësaj brigade.

Në emër të bashkëluftëtarëve foli Hysen Berisha, i cili tha se kjo ditë është një ditë e mbushur plot emocion.

“Liria dhe Pavarësia e  Kosovës është e arritura më kuptimplote për të cilën kontribuuan luftëtarët”, tha Berisha.

Ilustrim: Facebook